TAGS-AT E JAVËS

Kosova21 Prill 2025, 15:24

LDK dhe PDK nuk ndryshojnë qëndrim, Fatmir Limaj drejt aleancës me VV; çfarë pritet në Kuvend

Shkruar nga Pamfleti

LDK dhe PDK nuk ndryshojnë qëndrim, Fatmir Limaj drejt aleancës

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka shmangur komentet lidhur me diskutimet për një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje.

Para gazetarëve, ai nuk ka dhënë detaje dhe nuk është ndalur për të komentuar më gjerësisht, por është mjaftuar me një deklaratë të shkurtër duke thënë se “Kosova do t’i fitojë institucionet e saj”.

Këto fjalë ai i ka thënë në momentin kur ka arritur në Kuvend, ku pritet të mbahet vazhdimi i katërt i seancës konstituive.

Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se nuk ka asnjë vendim për votimin e kryeparlamentarit.

“Ne rast se Partia Demokratike do të votonte një kandidat ai është vendim i partisë, kështu që ne nuk kemi ndonjë vendim nëse do të votojmë.

Tani për tani kemi qëndrime të njëjta. Ajo çka po ndodh në këtë legjislaturë nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë tonë parlamentare që kryeparlamentari të zgjidhet me shumicën parlamentare sot do ta shohim se a do të arrijnë apo jo”, tha Tahiri.

Gjithashtu LDK ka deklaruar se nuk do të votojë Albulena Haxhiun për Kryetare të Kuvendit të Kosovës. Abdixhiku tha se LDK nuk ka ndryshuar qëndrim.

Lëvizja Vetëvendosje pritet ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por nuk është e qartë nëse i ka votat e nevojshme.

Haxhiu dështoi të zgjidhej në seancën e 19 prillit, pasi i mori vetëm 57 vota nga 61 të nevojshme në dy votime radhazi.

Seanca konstituive, sipas rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Në rast se Kuvendi konstituohet sot në përpjekjen e katërt, atëherë do të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.

Lini një Përgjigje