Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila i dha Kuvendit 34 ditë afat për zgjedhjen e Presidentit dhe shmangu shkuarjen e menjëhershme në zgjedhje, ka reaguar Presidenca e Kosovës.
Në një komunikatë zyrtare, Presidenca e ka mirëpritur vendimin, duke theksuar se ai konfirmon plotësisht qëndrimet e saj dhe përjashton çdo pretendim për shkelje kushtetuese.
“Presidentja e Republikës së Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastet nr. KO 72/26 dhe KO 74/26, i cili i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese”, thuhet në reagim.
Presidenca nënvizon se vetë Gjykata ka sqaruar qartë rendin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, duke theksuar se procedura nuk mund të anashkalohet.
“Në përputhje me komentet e dërguara nga Presidenca, edhe vetë Gjykata Kushtetuese e konfirmon se afati 60-ditor duhet të konsumohet para afatit 30-ditor të paraparë në nenin 86.2 të Kushtetutës dhe se ky afat 30-ditor para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është përfundimtar dhe detyrues, si dhe nuk mund të relativizohet”, shprehet Presidenca.
Në reagim theksohet gjithashtu se përgjegjësia për situatën nuk qëndron te institucioni i Presidentit, por te Kuvendi.
“Gjykata, në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes. Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve”, thuhet më tej.
Presidenca thekson se dekreti i Presidentes ka qenë vetëm formalizim i një situate të krijuar nga mosveprimi i Kuvendit.
“Presidenca ka potencuar se dekreti është thjesht formalizim i një situate ekzistuese dhe se nuk është dekreti, por është vetë dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit që e çon vendin në zgjedhje”, theksohet në komunikatë.
Në fund, Presidenca i bën thirrje deputetëve që të veprojnë pa vonesë dhe të përmbushin detyrimin kushtetues.
“Presidentja e mirëpret afatin 34-ditor të dhënë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe u bën atyre thirrje që urgjentisht ta kryejnë këtë detyrim kushtetues, duke i dhënë vendit stabilitet dhe siguri”, shprehet Presidenca.
Po ashtu, në reagim kritikohet edhe qasja politike ndaj çështjes.
“Deklaratat politike për kinse shkelje kushtetuese tregojnë keqlexim të aktgjykimit dhe politizim të skajshëm të një situate tashmë të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese”, përfundon reagimi i Presidencës.
Lini një Përgjigje