TAGS-AT E JAVËS

Kosova 6 Mars 2026, 21:49

Kriza e re në Kosovë, Hasimja: Përplasje egosh mes Kurtit dhe Osmanit

Shkruar nga Pamfleti

Kriza e re në Kosovë, Hasimja: Përplasje egosh mes Kurtit dhe

Përplasje egosh mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, e ka cilësuar politologu Ermal Hasimja, krizën e fundit në Kosovë, pasi presidentja shpërndau parlamentin për shkak të dështimit të raundit të djeshëm për zgjedhjen e kreut të shtetit, ndërsa Kurti e quajti këtë veprim antikushtetues.

Hasimja theksoi se  kryeministri Albin Kurti synon të ketë ndikim edhe mbi institucionin e presidencës, ndërsa presidentja Vjosa Osmani kërkon të ruajë pozicionin dhe mbështetjen e saj politike, pas inkurajimit dhe takimeve të saj të fundit në SHBA.

Është diçka që vjen nga përplasja e dy objektivave, dy egove. Zoti Kurti dëshiron që në një farë mënyre të marrë në dorë edhe institucionin e presidencës. Ndërkohë që zonja Osmani do dëshironte që të vazhdonte. Aq më tepër që është ndjerë e inkurajuar edhe kohët e fundit, ndoshta dhe me atë nxitjen dhe pikët që mori ndoshta nga takimi me Trumpin dhe sekretarin Rubio. Kështu që besoj që të dyja palët e kanë menduar që janë në të drejtën e tyre”, tha Hasimja në emisionin ‘Çdo kënd’ në A2 CNN.

Sipas politologut, çështja është shndërruar në një përplasje politike që duhet të zgjidhet brenda kornizës ligjore.

“Në rastin konkret tani çështja është shndërruar në një në një debat juridik që do duhet të vendoset në korniza juridike. Por interesante është kjo që unë mendoj që përtej asaj se po e lëmë atë ambicien personale të zonjës Osmani që është në të drejtën e vet legjitime, por po shohim edhe pjesën e zotit Kurti”, shtoi Hasimja.

Ai  thekson se në kushtet e fragmentimit të skenës politike në Kosovë do të ishte më e arsyeshme që të ishte një president konsensual dhe me një bazë më të gjerë konsensuale.

Unë mendoj që për nga mënyra se si është ndërtuar raporti i forcave politike në Kosovë mund të kishte qenë më e arsyeshme që të ishte një president konsensual, se nuk është si rastin e Shqipërisë, që ke dy forca të mëdha PD dhe PS edhe aty gjërat janë më të thjeshta në një farë mënyre dhe ka dhe kuptim ajo teoria që ai fituesi i merr të gjitha, por rastin e Kosovës nuk është ashtu. Në rastin e Kosovës ke një fragmentim më të madh të skenës parlamentare dhe aq më tepër në situatën ku është Kosova që ka nevojë për legjitimitet ekstra të brendshëm, sidomos mbas asaj çfarë ndodhi në këto 12 muajt e fundit me ribërjen e zgjedhjeve e tjerë e të tjerë. Mendoj që edhe në kuadër të diskutimit, debateve edhe të negociatave, të të gjitha formave, dialogut etj., do duhej në fakt që presidenti të kishte një bazë sa më të gjerë legjitimiteti”, u shpreh ai.

Sipas tij, një president i zgjedhur me konsensus, madje edhe nga jashtë partive politike, do të mund të sillte legjitimitet më të madh institucional.

“Mund të vinte nga radhët e partive. Ndoshta dhe partitë mund ta gjejnë një lloj formule. Ka formula të ndryshme. Ndoshta do të kishte qenë mirë që të ishte dhe dikush jashtë partive për t'i dhënë një lloj legjitimiteti shtesë, aq më tepër në qoftë se do të ishte një person i besueshëm, një person me vlera, për shembull nga shoqëria civile. Kjo do të ishte diçka shumë pozitive. Por këto janë qëndrimet. Nuk janë qëndrime joligjore ose të pandershme, janë qëndrime legjitime. Ka një dallim midis asaj çfarë është politikisht legjitime dhe ligjore dhe asaj çfarë është interesi maksimal i vendit”, përfundoi ai.

kosova osmani kurti

1 Komente

  1. a
    astrit

    Te jemi realist, Kurti eshte fuqia elektorale me e madhe e Kosoves. Osmani nuk ka as parti e as elektorat qe te krahasohet me Kurtin. Ne qofte se Osmani ka menduar ti bej karshellek Kurtit ti perveshi menget se ka shume pune. Partite e tjera nuk e kane propozuar Osmanin per presidente te Kosoves e me kete logjike Osmani i ka ditet e pakta ne presidence. Presidenca ne Kosove eshte pothuajse onorofike keshtu qe mos i jipni rendesine që se ka, e rendesishme eshte fuksionimi normal i republikes me qeverine Kurti.

    Lini një Përgjigje