TAGS-AT E JAVËS

Kosova26 Maj 2023, 17:34

Krerët e komunave në Veri futen në zyra mes kaosit/ SHBA reagon ashpër, ushtria serbe mbetet në gatishmëri lufte

Shkruar nga Pamfleti

Krerët e komunave në Veri futen në zyra mes kaosit/ SHBA reagon

Krerët e komunave në Veri kanë arritur të futen në zyra, teksa policia ka larguar turmat me gaz lotsjellës. Momentalisht situata paraqitet e qetë, por ka frikë për tensione...

Krerët e komunave serbe në veri të Kosovës kanë arritur të futen në zyrat e tyre pas disa orësh tensionesh dhe kaosi. Pas betimit që bënë një ditë më parë, kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviçit dhe Zubin Potokut - që të gjithë shqiptarë - sot u nisën për të shkuar në zyrë.

Mirëpo në të tria komunat pati protesta të fuqishme nga serbët, të cilët nuk pranojnë drejtimin e tyre. Kjo bëri që të ndërhyjë policia e Kosovës, e cila ka lëshuar gaz lotsjellës për të lejuar futjen e krerëve të komunave në zyrë.

Por policia u përball me përplasje, ku nuk munguan të shtënat me armë zjarri, djegiet e makinave dhe konfrontimet. Për pasojë 5 efektivë mbetën të plagosur. Tensionet zgjatën disa orë, por policia arriti që në fund të largojë turmat dhe kryetarët e komunave të marrin detyrën. Që të tria komunat janë të rrethuara nga policia dhe forcat speciale. Ndërkohë në gatishmëri u vendosën KFOR dhe EULEX. Madje thuhet do të ketë një takim edhe mes Kurtit dhe përfaqësuesve të KFOR për të garantuar sigurinë në zonë.

Krerët e komunave në Veri futen në zyra mes kaosit/ SHBA reagon

Ndërkohë Serbia duket se është përgatitur për luftë. Pas tensioneve, Vuçiç urdhëroi që ushtria të jetë në gatishmëri lufte. Po ashtu ai kërkoi që forcat ushtarake të vendosen në kufirin me Kosovën.

Nga ana tjetër, amerikanët duket se janë irrituar shumë me kryeministrin Kurti. Ambasadori amerikan në Kosovë e cilësoi si provokim futjen e krerëve të rinj të komunave në zyrë me forcë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, tha ambasadori Jeffrey m. Hovenier.

Krerët e komunave në Veri futen në zyra mes kaosit/ SHBA reagon

Më i ashpër ishte Senatori amerikan, Chris Murphy. Në reagimin e bërë në Twitter, Murphy shkruan se kryeministri Albin Kurti duhet t’i ndalë provokimet menjëherë.

“Në takimin tim të hënën në Prishtinë me kryeministrin Kurti, ai nuk përmendi ndonjë plan për qasje në ndërtesat komunale. Si mik i Kosovës jam zënë totalisht në befasi dhe duhet t’i japë fund këtij provokimi menjëherë”, shkruan ai.

Murphy tha se për këtë “zhvillim shqetësues” ka pasur edhe një telefonatë me Këshilltarin Special të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.

Situata tani duket më e qetë. Barrikadat e vendosura u hoqën, ndërkohë që të gjitha ndërtesat e komunave janë nën kontrollin e policisë kosovare./Pamfleti

kosov veri tensione

Lini një Përgjigje