TAGS-AT E JAVËS

Kosova21 Korrik 2025, 16:44

Kosova shumë pranë formimit të qeverisë së re, Albin Kurti: Gati për koalicion me Fatmir Limajn

Shkruar nga Pamfleti

Kosova shumë pranë formimit të qeverisë së re, Albin
 
Ngërçit politik në Kosovë duket se po i vjen fundi. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se partia e tij është e gatshme për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, parti së cilës tha se i ka bërë ofertë konkrete. 

“Me Limajn kemi zhvilluar një takim pardje. LVV-ja dhe unë kemi shprehur interesimin dhe gadishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhje me këtë unë kam bërë edhe një ofertë konkrete që gjithçka të përmbyllet sa më shpejt e mirë, ta kemi konstitutim të Kuvendit dhe Qeverinë”, tha Kurti gjatë një konference për media në Qeverinë e Kosovës. 

Kurti tha se nuk mund të ofrojë hollësi pasi kjo ofertë ende nuk është konkretizuar në marrëveshje, duke theksuar se nevojitet të vazhdojnë bisedimet në mënyrë që të krijohen institucionet e reja. Ai gjithashtu tha se shpreson që bisedimet me partinë e Limajt të finalizohen gjatë kësaj jave. 

“Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj”, tha ai. 

Më 21 korrik, deputetët për herë të 50-të dështuan të konstituonin Kuvendin e Kosovës, pasi partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë po kundërshtojnë ndryshimin e mënyrës së votimit për kryeparlamentar nga i hapur në të mbyllur. 
Kurti dhe Limaj u takuan gjatë fundjavës në përpjekje për të gjetur një zgjidhje drejt zhbllokimit të situatës. Para takimit, eksponentë të Nismës Socialdemokrate deklaruan se duan që Limaj të zgjidhet kryeparlamentar, në këmbim të votimit të Qeverisë së re të Kosovës, të udhëhequr nga partia e Kurtit. 

Lini një Përgjigje