Vendimi kalon me shumicë votash, ndërsa parlamenti pritet të marrë vendimin përfundimtar
Këshilli i Shteteve në Zvicër miratoi një dekret federal që parashikon zgjatjen e pranisë së ushtrisë zvicerane në Kosovë deri në fund të vitit 2029. Propozimi u miratua me 37 vota pro, 2 kundër dhe 4 abstenime.
Përmes këtij dekreti, Këshilli Federal i kërkon Asamblesë Federale të zgjasë mandatin e kontingjentit aktual në Kosovë pa ndryshuar numrin e trupave.
Dokumenti parashikon edhe një mundësi shtesë. Autoritetet zvicerane duan të mbajnë të hapur opsionin për rritjen e përkohshme të kontingjentit deri në 30 ushtarë, nëse situata e sigurisë përkeqësohet dhe misioni i KFOR-it kërkon mbështetje shtesë.
Sipas ligjit zviceran, çdo vendosje e personelit ushtarak jashtë vendit kërkon miratimin e parlamentit. Pas vendimit të Këshillit të Shteteve, çështja do të shqyrtohet edhe nga Këshilli Kombëtar.
“Situata aktualisht është e qetë”, ka thënë Ministri i Mbrojtjes Martin Pfister, duke shtuar “megjithatë, ajo mbetet e paqëndrueshme, veçanërisht në veri të Kosovës, ku tensionet etnike vazhdojnë”, ka shtuar ai.
Forcat e Armatosura të Zvicrës marrin pjesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë që nga tetori i vitit 1999 përmes kontingjentit Swisscoy. Aktualisht, numri maksimal i personelit të vendosur arrin në 215 ushtarë, ndërsa mandati ekzistues përfundon në fund të vitit 2026.
“Në vitin 2023, incidente të rënda sigurie e shtynë NATO-n të përforconte KFOR-in dy herë. NATO dhe vendet pjesëmarrëse besojnë se KFOR-i duhet të mbetet në vend derisa marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë të normalizohen”, thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje