Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas takimeve të ndara me Ramën, Nikollën, Begajn e Metën në Tiranë. Kurti u shpreh se vizita u bë në kuadër të marrëveshjes së arrirë me Serbinë në Ohër. Kreu i qeverisë së Kosovës u shpreh se i njoftoi nga afër dhe më me hollësi përfaqësuesit kryesorë të shtetit. Më tej ai komentoi edhe takimin me Metën, ku u shpreh se e takoi në cilësinë e ish presidentit dhe jo si kryetar të Partisë së Lirisë.
I pyetur se çfarë do dëshironte nga Shqipëria, Kurti theksoi ndihmën e Shqipërisë për të përfaqësuar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Dëshirova t’i njoftoj nga afër dhe me hollësinë procesin e dialogut por gjithashtu edhe me elementët përbërës të marrëveshjes. Shqipëria është shumë më pranë Kosovës dhe kjo duket edhe në marrëdhëniet mes nesh dhe përfaqësimin e kësaj të fundit në organizmat e arenës ndërkombëtare. Kërkojmë nga Shqipëria mbështetje në forumet ndërkombëtare për Kosovën. Duhet mbrojtur, sovraniteti, pavarësia dhe integriteti ndërkombëtar. Por edhe të na ndihmojë për t’u anëtarësuar në organizmat ndërkombëtare. Një situatë komplekse për dialogun Kosovë-Serbi të shihet me kujdes nga Shqipëria. Kjo marrëveshje është njohje de facto e ndërsjellët dhe gjithashtu ua shpjegova se neni 7 i cili flet për vete menaxhimin e komunitetit serb në fakt korrespondon te marrëveshja kornizë për të mbrojtur pakicat kombëtare.”- tha Kurti.
Albin Kurti ka nisur vizitën e tij në Tiranë ditën e sotme. Ai është takuar me presidentin Bajram Begaj, kryeparlametaren Lindita Nikolla, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PL Ilir Metën, të cilët i informoi lidhur me Marrëveshjen e Ohrit drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Takimi më i gjatë ishte me kryeministrin Edi Rama, i cili e priti për 2 orë në 'Vilën 30' me të cilin bisedoi mbi zhvillimet më të fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.
Rama ndau një foto me Kurtin dhe shkruan se e mbështeti kryeministrin e Kosovës për të hedhur hapat e radhës që do të normalizojnë marrëdhëniet me Serbinë. Kryeministri Edi Rama tha se e inkurajoi për Asociacionin dhe Kishën Serbe duke shtuar se do të ketë mbështetjen e tij të plotë.
Para takimit me Ramën, Kurti u prit nga kreu i shtetit Bajram Begaj. Presidenti e priti Kurtin në Presidencë dhe zhvilluan një takim për rreth 30 minuta. Begaj ka vlerësuar se marrëveshja me Serbinë është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Presidenti Begaj shprehu gjithashtu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.
Pas Begajt, Kurti është pritur nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla në Kryesinë e Kuvendit. Ai zhvilloi edhe një takim me kreun e PL-së, Ilir Metën i cili u shpreh se mbështet qëndrimet e Kosovës në raport me dialogun me Serbinë.
Më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kurti dhe Vuçiç pas më se 10 orësh bisedime, arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian.
Në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të pranuar parimisht gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.
Lini një Përgjigje