Lëre Kanunin Edi, lëri flirtet e rinisë. Bëhu serioz. Nuk mjafton vetëm të thuash “ Ballkan Hapu”... bëje Procesin! Po çfarë hyn këtu refuzimi estetik, do të thoni? Çfarë mendoni ju, si do të përgjigjej Ibrahim Rugova?
Rama me këmbëngulje i kërkon takim, ky as i hedh sytë, as i kthen përgjigje.
Edi e thërret Vuçiçin, i thotë se do takim, ai ja kthen menjëherë, eja vëlla.
E thërret Presidentin Erdogan, eja vëlla i thotë, edhe ai.
Greku, i thotë eja kur të duash, malazezi gjithashtu.
Në Maqedoninë Veriore hyn pa trokitur. Rama është kallauzi i Ballkanit. Do të kryesh punë, drejtoju Edit. Anë e mbanë globit veç një derë i rri e zemëruar, e mbyllur.
Nuk i bëri punë kanuni as Xhulieta. Vet e rrëfeu se si i ka lutur “Xhulietat” e rinisë së tij për takim, rrëfeu si është vardisur, por asnjë sa Kurtin nuk e paska lutur, si e tha në Prishtinë, në një monolog mes analistësh në median e dyshuar, pikërisht nga qeveria Kurti për pronësi të përzier, apo më saktë të paqartë, të padëshmuar.
Pra, kështu foli, pak a shumë, Rama.
“As në rininë time nuk i kam shkuar prapa një Xhuliete indiferente me aq shumë kërkesa sa i kam bërë personalisht Albinit për këtë takim...”. Çka ti thuash, Albinit tash? Pranoje? Por, Albini nuk po e do Ramën ashtu si është. Më saktë, ashtu si po sillet. Nuk do ta mirëkuptojë. Veç retorikë politike e ka Edi, se ai nuk ka vëlla tjetër pos ... por të mos merremi me familjen politike të Kryeministrit shqiptar. Të Shqipërisë, më saktë se aktualisht në Ballkan janë tre kryeministra shqiptarë. Pastaj ku ka vëllezër në politikë...Edi?
Kanunin kot e përmendi Edi, se dera e Kosovës nuk ju ka mbyllur. Kanuni thotë mbaje hapur derën e Presidencës, Parlamentit për Kryeministrinë nuk thotë gjë Kanuni, as ky i Edit.
Edi ishte, foli dhe iku andej kufirit për të cilin falë Ballkanit të hapur ende ka dilema se i kujt është, së paku për disa ballkanas.
E pranoi Edin edhe Presidentja, edhe Krye parlamentari, por Edi nuk është i kënaqur, do Albinin. Presidenti tha se është titull nderi, ndërsa krye parlamentari se është djalë simpatik. Me një fjalë, hape derën Albin...edhe këtu si në Shqipëri duhet të jetë, Kryeministri kollitet, e të tjerët veç ja bëjnë, shëndet!
Nejse Edi i dëshpëruar i ra rrotull rajonit, por në fund të rrethit e kuptoi se fuqia e tij ishte pikërisht ... Albini. E kuptoi se nuk ka peshë në rajon, pa Kosovën, siç e kuptoi që nuk e hap dot Ballkanin pa Kosovën. I solli edhe Marrëveshjet të nënshkruara të gjitha, por as ato nuk doli të ishin dora e pajtimit.
Është e qartë se hatër mbetja nuk ka të bëjë me anulimin e mbledhjes në mes dy qeverive. Nëse ka hatër mbetje kjo mund të jetë e lidhur me liderizmin e tij në çështjen e Ballkanit të hapur dhe injorimin që i bëhej rezervave të Kosovës për këtë projekt. Pa Kosovë Ballkan nuk ka, është e qartë tashmë, sepse pa të nuk ndërtohet baraspesha e re në rajon. I njëjti lider që ishte më agresivi në trojkën “openballkanike”, tash synon liderin në Procesin e Berlinit. Edi duhet ta bëjë këtë pa e dëmtuar Kosovën.
Sidoqoftë, para ardhjes së Edit një lëvizje e përgjithshme ndodhi në taborin e opozitës e cila i ftoi në një “Shtrydhje truri” analistë e banalistë, gazetarë dhe politikan/biznesmen/gazetarët tanë, pra një pako “tre në një”, kryesisht nga ata që për ndonjë arsye janë të zemëruar me Kurtin.
Pastaj erdhi edhe ish Presidenti Clinton, pas kësaj Rama erdhi në Prishtinë dhe gjithçka ngjante me turin që dikur e kishte ndërmarrë ish Presidenti për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe për të nxjerrë nga loja Qeverinë e cila po pengonte “lojën e territoreve”.
Nëse ishte e sinkronizuar, kjo lojë nuk po bëhej kokë më vete. Të tjera erëra frynin nga perëndimi. Kështu, në Bruksel, Beograd, ndoshta edhe në Moskë të gjithë mbajtën frymën për takimin e pritur, që do t’i imponohej Kurtit, ku Rama do ti hiqte veshin dhe do t’i mbante leksionin... por Kurti iku nga ora.
Edhe Ministrja e Jashtme Gërvalla, këto ditë goditi “Tigrin prej Letre” dhe reagimi kot i Lajçak vetëm tregoi se ... jo vëlla, nuk tregoi asgjë. Askush, përfshi edhe “Tigrin prej Letre” nuk po e di se çfarë po ndodhë vërtetë. Kurtin po e lutë edhe Eskobar. I vështirë por megjithatë partner, e kishte cilësuar vetëm pak javë më parë kur një yrysh politik synoi ta nxjerr nga loja, madje edhe të turpëruar si antiamerikan.
Në kryeqendrën e botës, ish Presidenti Trump sërish po bëhet gati për fushatën presidenciale. Vullnetit të lirë të popullit amerikan nuk i dihet kurrë, dhe sido që të vendosë, kjo do të jetë Amerika zyrtare. Ne mund të jemi “partner të vështirë” por gjithsesi partner të SHBA dhe perëndimit në këtë “përplasje civilizimesh”.
Sidoqoftë bota nuk do të jetë kurrë më e njëjtë. Kjo nuk është vetëm një luftë botërore që po zhvillohet në Ukrainë, por edhe një revolucion teknologjik cili po e ndërron përgjithmonë botën tonë. Në një të ardhme jo të largët bota do të jetë aq e integruar sa nuk do të ketë kryeministra dhe president në çdo qoshe.
Aktualisht e ardhmja e botës varet nga elektorati amerikan dhe të gjitha idetë dhe të gjitha interesat e strukturat sërish janë aktivizuar. Lëre Kanunin Edi dhe flirtet e rinisë. Bëhu serioz. Nuk mjafton vetëm të thuash “ Ballkan Hapu”... bëje Procesin!
Po çfarë hyn këtu refuzimi estetik, do të thoni? Çfarë mendoni ju, si do të përgjigjej Ibrahim Rugova?/Pamfleti
Lini një Përgjigje