TAGS-AT E JAVËS

Editorial10 Korrik 2023, 08:39

Taulanti: ministër, negociator apo ‘kokë turku’?!

Shkruar nga Pamfleti

Taulanti: ministër, negociator apo ‘kokë turku’?!

Shkopinjtë e Bejsbollit në trupin e Majave, janë vetëm ‘gongu’ i një lufte mafioze që do zgjasë deri në zgjedhjet e 2025...Po Balla? Nuk është çudi që të jetë “shoku” i radhës që do dorëzojë Babloku për të shpëtuar veten…

Dhuna makabre në një lokal në rrëzë të autostradës Fushë-Krujë-Thumanë, nuk ishte aspak një shfrim inati apo ndëshkim shembullor i bandës së rrezikshme të fisit Rraja ndaj kokëshkretëve të fisit Maja.

Kush e mendon këtë, thjesht është manipuluar nga teatri absurd që nisi të luhet në Tiranë dhe në gjithë vendin, dy ditë pas ngjarjes së lokalit pranë fshatit Borizanë.

Ai demonstrim force, i filmuar në mënyrë perfekte nga një mjeshtër imazhi, a thua se ishte Oliver Stone që po xhironte “Natural Born Killers”, nuk ishte gjë tjetër veçse PR i një lufte bandash, që ju dërgua Edi Ramës si një mesazh i fortë politik.

Një mesazh i thyerjes së një “paqeje të brishtë” mes bandave më të rëndësishme në vend, të cilat nxorën dhëmbët tek videoja e Safet Gjicit dhe largimi i kreut të OSHE, Ardi Çela.

Por nuk janë vetëm bandat e Durrësit dhe Kukësit, që përfaqësoheshin nga Çela e Balluku të cilët nisën përplasjen finale, por edhe ata të Tom Doshit, që vranë në mënyrë demonstrative kryeplakun ish-oficer policie pas disa aksioneve për të prishur arat me kanabis në Dukagjin dhe Malësi të Madhe. Krismat e kallashnikovit në mes të Xhabijes në qendër të Shkodrës, ishin një tjetër sinjal i kësaj lufte, që thjesht po bën nxemjen e saj.

Rrajat, apo grupet e tjera të Niklës e zonës përreth, nuk janë një bandë në kuptimin klasik të fjalës. Pra një grup kriminal që kryen biznes me rrugë e metoda të paligjshme e të dhunshme.

Ky grup është një strukturë “kuzhinetë” e ngritur prej vitesh dhe me funksionim perfekt që u ka ofruar shërbime “infrastrukturore”, “know how” dhe natyrisht “spastrime” e “punë kryer” të të gjitha grupeve më të rëndësishme e të forta kriminale.

Nuk është aspak çudi që njerëzit e Rrajave i shikojmë sa në operacionin “Viluni” të trafikut të narkotikëve në Velipojë, në pazaret e pronave të Gjirit të Lalzit, atentatin ndaj prokurorit, apo edhe shërbime luksi për njësi të kualifikuara.

Operacionet që ndodhën prej një viti, që me rastin e Rrumit të Shijakut e deri te arrestimi i Rrajëve, duket se shërbyen si pika që derdhi gotën. Edhe pse influenca e bandës së Niklës është shrirë në të gjithë vendin, mpiksja me bandën e Durrësit është aleanca më solide.

Ndaj sidomos me largimin e njërit prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të saj nga kupola e pushtetit ka bërë që të  jepet urdhri për luftë. Shkopinjtë e Bejsbollit në trupin e Majave, ishin vetëm gongu i kësaj lufte.

Dorëzimi i mandatit të Rrahman Rrajës nuk është aspak lajm, më shumë se heshtja e tij që flet tepër. Teksti i stisur i dorëheqjes ku fliste për “mërzitjen e madhe që i ka shkaktuar kryeministrit e kryetarit të partisë”, nuk ishte gjë tjetër veçse një tekst për të mbushur militantët trushplarë me dokrrat e propagandës.

Të gjithë e dijnë se Rrahman Rraja, ashtu si kolegët e tij Tom Doshi, Qifja e i biri me shokë nuk flasin. Ata vetëm veprojnë. Ata vetëm marrin para nga arka e shtetit nëpërmjet tenderëve e kontratave të pafundme.

Fitorja e madhe e Ramës në 14 maj, ku në dy a tre vende u vendosën emra jashtë rrethit të bandave, e sidomos mundësia e ardhjes së investimeve të mëdha, si ai i porteve të Durrësit, apo edhe naftës që pritet të dalë në Dumre e Shpirag, e ka shpejtuar luftën që kishte kohë që përgatitej.

Ekzaktësisht që prej vitit 2021, kur Edi Rama edhe pse e kishte premtuar, nuk e emëroi Taulant Ballën ministër i Brendshëm. Ky i fundit e kishte hapur lajmin anekënd, duke përgatitur madje edhe drejtorët e policisë. Nuk e emëroi sepse ja kërkuan partnerët. Të cilët sipas gjasave kanë informuar edhe Bajram Begajn. Ndaj Rama me anë të nxjerrjes së shkresave në publik, i ka bërë presion, sidomos pas karshillëkut me mungesën në ceremoninë për Bill Clinton. Gjasat janë që Presidenti ose ta mbajë disa ditë shkresën për ta dekretuar, ose ta dekretojë, duke i bërë të ditur kryeministrit shqetësimet e partnerëve. Të cilat, patjetër që do t’i bëjnë publike, duke e prishur festën e ministrit të ri që pa nisur.

Por ky duket se është plan edhe i Edi Ramës, i cili po e përdor kreun e grupit parlamentar jo si një negociator me bandat e xhindosura, por si një ‘kokë turku’. E që duket është pjesë e një lufte të madhe mes bandave që kontrollojnë fort mazhorancën e PS-së. Gjasat janë që kjo luftë që sapo ka filluar, të jetë shumë e përgjakshme. Siç janë përgjithësisht luftrat e mafieve; barbare e me efekte të tmerrshme anësore. Ajo skenë me shkopa bejsbolli do të duket lule para një stine dhune që do të zgjasë deri në zgjedhjet e 2025-s. Po Balla? Nuk është çudi që të jetë “shoku” i radhës që do shesë Babloku për të shpëtuar veten…/Pamfleti

taulant balla negociator kokë turku ministër

Lini një Përgjigje

Editorial