Serbia po të donte ta njihte Kosovën, Ballkani i Hapur bëhej fakt, jo projekt...
Pra, Edi thotë se qëllimi u arrit. Misioni u përmbyll. Çka do të hapet tani? Një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, kërkon ai. Kohëve të fundit shqetësimi i tij kryesor është bërë Kosova, jo Ballkani. Pa Kosovë, Ballkan nuk ka, thotë Evropa. Jo, ishte ndryshe kënga, thotë Edi. Pa Kosovë Serbi nuk ka, thotë Aleksandri.
Përderisa me krizën në Veri të Kosovës, të clën e krijoi Serbia duke tërhequr serbët nga institucionet e Kosovës, synonte të zhbënte marrëveshjen e Brukselit (dhe atë të Ohrit), konferenca e përfolur nga Rama mund vetëm të dëshmojë se “normalizimi” është aq i pamundur aq sa edhe Ballkani është i hapur. Kjo vetëm sa do të sjellë kërkesat për këmbim territoresh në tavolinë dhe do të krijonte efektin domino, në rajon.
Në fakt diçka e tillë ishte provuar gjatë presidencës së Trump, por, gjithçka përfundoi me rrebelimin në Uashington.
Rama e shpalli njëanshëm të përfunduar projektin për të cilin investoi aq shumë kohë, argumente dhe propozoi versionin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, pastaj konferencën ... me një fjalë do të bëhet palë në çështjen e Kosovës. Por aktualisht, askush nuk e njeh atë si palë rreth çështjes së Kosovës, me përjashtim të Serbisë e cila përpiqet që Kosovën ta bëjë çështje të marrëdhënieve serbo-shqiptare.
Sa për Ballkanin e hapur, ashtu si filloi, ashtu edhe u mbyll. Ideja vërtetë tingëllonte si evropiane aq sa tingëllon tani depresive ideja se Ballkani i Hapur është mbyllur. Sikur sugjeron Ballkani evropian është i pamundur, pasi ballkanasit janë religjiozë, konservatorë, duan të rregullojnë fillimisht mesjetën pastaj të ardhmen. Me të tashmen nuk kanë problem. Tash janë në pushtet elitat që promovojnë idetë për ripërtëritjen nacionale dhe fetare, rrjedhimisht edhe armiqësitë shekullore, prandaj e kanë aq mirë sa nuk e bënë dot më mirë. Veç mund të prishet. Hyrja në Evropë, duke pasur kusht standarde demokratike nuk duket interes i elitave ballkanike. E kanë më mirë se në Evropë.
E vetmja e metë e idesë së Ballkanit të hapur ishte se nuk funksionoi. Ndoshta se u bë si “ofertë që nuk mund të refuzohet” pasi alternativë ishte kaosi. Pastaj, përse Ballkani i Hapur të dalë si alternativë e Evropës së Hapur? Pra, “Ballkani i hapur” nuk e kishte personale as me “Procesin e Berlinit”, ishte çështje konceptesh. Mes elitave ballkanike, si duket kishte një pakt të heshtur, që BE-së dhe perëndimit t’i imponohej një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të shqiptarëve dhe serbëve, e cila do të ndryshonte politikat oksidentale ndaj Ballkanit dhe do të zgjidhte njëherë e përgjithmonë nyjën gjeopolitike e cila e bënte këtë rajon zonën më turbulente të Evropës.
Ballkani i Hapur, ashtu si ishte konceptuar, pajtonte interesat serbe me të tjerët. Fare mirë mundësonte që Kosova të ishte dhe të mos ishte. Mundësonte të ishte njëkohësisht edhe Serbi, të ishte Shqipëri, Turqi, veç Kosovë jo. Ishte e panevojshme, madje.
Edhe Kosova mund të ishte, veç se duhej të mësohej me pozitën e dikurshme kushtetuese në ish federatën jugosllave, pra të ishte edhe pjesë e Evropës edhe e Serbisë, njëkohësisht pasi Serbia nuk po e heq dot nga kushtetuta. Serbia po të donte ta njihte Kosovën, Ballkani i Hapur bëhej fakt, jo projekt.
Edi natyrisht nuk do ose nuk arrin të kuptojë se nuk ndërton dot marrëdhënie me serbët, jashtë politikës evropiane, apo perëndimore. Krenaria e ballkanasve e shtron pyetjen, nëse Evropa na pranon dot kështu si jemi. Strategjia lindore synon të mundë BE-në në Ballkan. Ballkanizim i Evropës, apo e kundërta, kjo është çështja.
Mission Commplete, thotë Rama. Asgjë nuk po ndodhë, prandaj e mbyllën dyqanin, do të thonë të tjerët. Nuk bëhej ndryshe. Qëllimi ishte të hapej rruga nëpër Kosovë, për Serbinë. Rruga nëpër Kosovë mund të hapet vetëm duke e njohur atë ose nëse Kosova heq dorë nga pavarësia e saj, duke e ndarë. Po të ishte e mundur ndryshe, marrëdhëniet Kosovë-Serbi me kohë do të ishin normale. Në fakt, çfarë nënkuptohet me marrëdhënie normale, normalizim?
Një pyetje për fund: Konferenca ndërkombëtare ide e re e Ramës, çfarë misioni ka: paqen apo lirinë e Kosovës? Paqja ndërtohet gjithsesi, por liria vetëm në një mënyrë. Prandaj nuk kuptohen nganjëherë Shqipëria dhe Kosova zyrtare. Gjithsesi nuk është personale mes liderësh. “Është çështje konceptesh”, thotë Edi! “Asgjë personale nuk kam me Kurtin, është dallim konceptesh” thotë Edi. Të jeni të sigurte se nuk ka asgjë personale. Është vetëm dallim rreth konceptit të normalizimit./Pamfleti
Lini një Përgjigje