Ish-ambasadori Arben Çejku thotë se Vjosa Osmani do të rikthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe, sipas tij, pas zgjedhjeve të 7 qershorit do të marrë drejtimin e partisë.
Çeku e cilësoi Osmanin si figurën e vetme politike që mund të përballet me Albin Kurtin dhe tha se LDK nuk ka alternativë tjetër përveç bashkimit me të.
“E kemi thënë që Vjosa do të rikthehet aty tek shtëpia e saj. Kemi thënë gjithashtu që i vetmi opsion i LDK-së për të sfiduar Kurtin në një farë mënyre është bashkimi i forcave me Vjosa Osmanin”, u shpreh ai në "Review".
Sipas Çejkut, strukturat e tjera brenda LDK-së do të detyrohen ta pranojnë Osmanin për shkak të peshës elektorale që ajo sjell.
“Gjithashtu kemi parashikuar që edhe grupet e tjera do të detyrohen të bëjnë një hap mbrapa për të pranuar Vjosën sepse Vjosa është të themi e vetmja figurë ose risi në betejën politike përballë Albin Kurtit”, deklaroi ai.
Ai komentoi edhe pozicionin e kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të cilin tha se hyri në zgjedhje me “një bilanc jo pozitiv”.
“Nëse do të ishte po ai në këtë garë, kam përshtypjen që do të kishte një humbje më të madhe LDK-ja”, tha Çejku.
Sipas tij, rikthimi i Osmanit në LDK lidhet si me nevojën e partisë për rritje politike, ashtu edhe me ambicien e saj për t’u përballur me Kurtin.
“Merita e Vjosës është që rikthehet në shtëpinë e saj për t’i dhënë pak më shumë oksigjen, për t’i dhënë pak më shumë fuqi. Natyrisht edhe ishte e vetmja platformë ku ajo mund të artikulojë betejën e saj kundër Kurtit, qoftë personale, qoftë politike, qoftë institucionale”, tha ai.
Në fund, Çeku parashikoi se Osmani do të marrë drejtimin e LDK-së pas zgjedhjeve.
“Zonja Osmani në këndvështrimin tim pas këtyre zgjedhjeve besoj do të jetë lidere e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo rritje sigurisht do të përkthehet si një nevojë për ndryshim të lidershipit”, deklaroi Çeku.
Ai shtoi se objektivi i ardhshëm politik i Osmanit do të jetë gara për kryeministre.
“Tani besoj që do të jetë rasti që Vjosa Osmani përfundimisht të rikthehet në shtëpinë e saj, ta drejtojë atë dhe të garojë për kryeministre në zgjedhjet e ardhshme”, përfundoi ish ambasadori.
Lini një Përgjigje