Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Pejë, ku dy persona janë gjetur pa shenja jete brenda një vile në rrugën “KFOR”.
Sipas raportimeve, njëri nga viktimat është Endrit Lajqi, kurse bashkë me të ishte edhe një femër, e moshës 20 deri në 25 vjeç. Të rinjtë, referuar informacioneve paraprake, kishin hyrë në vilë që nga mbrëmja e 29.12.2025, por prej asaj kohe nuk ishte dëgjuar asnjë zë nga brenda.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Prokuroria Themelore e Pejës, përmes zëdhënësit, Shkodran Nikçi.
Ai tha se në vendin e ngjarjes janë siguruar prova që do të shërbejnë për veprimet e mëtejshme hetimore, si dhe janë identifikuar dëshmitarët.
“Me të marrë informatën, në vendin e ngjarjes ka shkuar Policia e Kosovës, e cila ka gjetur dy të rinjtë, pa shenje jete.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës dhe prokurorja e Krimeve të Rënda dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet në vendin e ngjarjes duke siguruar provat të cilat do të shërbejnë në veprimet e mëtutjeshme.
Autopsia, që do të kryhet nga Mjekësia Ligjore, pritet të hedhë dritë mbi shkakun e vdekjes. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të jepen detaje më shumë”, tha ai.
Ndërtkohë raportohet se po merren në pyetje persona që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen.
Lini një Përgjigje