Njëri nga viktimat është Endrit Lajqi.
Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në qytetin e Pejës, ku dy persona rreth 20 deri në 25 vjeç, janë gjetur pa shenja jete në një vilë, në rrugën e KFOR-it.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se rreth orës 15:10 autoritetet janë njoftuar për rastin dhe kanë dalë menjëherë në vendngjarje.
Njëri nga viktimat është Endrit Lajqi, ndërsa vajza nuk është identifikuar ende.
Sipas informacioneve fillestare, dy të rinjt kishin hyrë në vilë që nga mbrëmja e djeshme, por prej asaj kohe nuk ishte dëgjuar asnjë zë nga brenda.
“Sot rreth orës 15:00, policia është informuar se në një vilë në rrugën e KFOR-it dyshohet se dy persona janë pa shenja jete. Njësitet policore dhe ekipi i emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e dy personave”, deklaroi Gashi.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për vdekje natyrale, aksident apo vepër penale.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodra Nikçi, deklaroi se Prokurorja e Krimeve të Rënda është duke shkuar drejt vendit të ngjarjes.
“Policia është në vendin e ngjarjes. Prokurorja e Krimeve të Rënda është duke shkuar në vendin e ngjarjes. Kaq mund të jap informata për momentin”, tha Nikçi.
Lini një Përgjigje