TAGS-AT E JAVËS

Kosova31 Tetor 2023, 17:56

Sulmi terrorist në Banjskë, Apeli lë në paraburgim tre serbët e arrestuar pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku

Shkruar nga Pamfleti

Sulmi terrorist në Banjskë, Apeli lë në paraburgim tre

Gjykata e Apelit ka vendosur 2 muaj paraburgim për tre serbët e arrestuar pas sulmit të 24 Shtatorit në Banjskë, Dushan Maksimoviç, Vladimir Toliç dhe Blagoje Spasojeviç.

Kujtojmë se më 20 tetor të këtij viti Gjykata e shkallës së parë kishte marrë aktvendimin për vazhdimin e paraburgimit.

Lidhur me këtë vendim mbrojtja e të dyshuarve kishte parashtruar ankesë në shkallë të dytë, por që Apeli ka refuzuar ditën e djeshme këto ankesa dhe ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore.

Sipas arsyetimit të gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë e ka arsyetuar drejt se janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Ata u arrestuan si të dyshuar për sulmin terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagos një polic tjetër, më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Tre serbët dyshohen për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës si dhe për vepra terroriste.

sulm apeli paraburgim

Lini një Përgjigje