
Presidenti Bajram Begaj ka uruar Kosovën për 24-vjetorin e çlirimit.
Me anë të një postimi në rrjete sociale Begaj ka shprehur mirënjohje për heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe partnerëve strategjikë, si SHBA dhe NATO.
“Gëzuar Ditën e Çlirimit Kosovë! Nderim përjetë heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Mirënjohje partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe NATO!”, shkruan Begaj në Facebook.
24 vite më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.
Kosova sot shënon 24-vjetorin e Ditës e Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në vend pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.
Fushata bombarduese, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.
Në luftën e viteve 1998-99 më shumë se 13,000 persona mbetën viktima dhe më shumë se 6,000 persona nuk janë gjetur ende.
Lini një Përgjigje