
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para takimit të sotëm me presidentin serb në Bruksel, ka takuar emisarin amerikan për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar.
Gjatë takimit mësohet se Kurtit dhe Escobar kanë biseduar lidhur me temat e takimit të sotëm të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në takimin që ndërmjetësohet nga Joseph Borrel, shef i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri si dhe emisari për dialogun, Miroslav Lajçak, janë të paraparë dy pika për diskutim.
Pikë e parë e rendit të ditës pritet të jetë çështja e personave të zhdukur nga koha e luftës dhe më pas ajo e Asociacionit. Pritjet janë që dy udhëheqësit të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si dhe të diskutojnë për draft-statutin e Asociacionit, të krijuar nga i ashtuquajturi Ekip Menaxhues.
Fillimisht Kurti dhe Vuçiç do të kenë takime të ndara me përfaqësuesit e BE-së. Më pas do të ketë një takim tre palësh BE-Kurti-Vuçiç.
Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka vlerësuar se takimi i sotëm në Bruksel, në kuadër të dialogut do të ketë rëndësi të veçantë.
Lajçak ka thënë se është takuar me kryeministrin Albin Kurti, në Forumin Ekonomik në Delphi, për t'u përgatitur në detaje për këtë takim.
Lini një Përgjigje