Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç deklaroi se nuk pret asgjë nga vazhdimi i dialogut sot në Bruksel mes presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
Në një prononcim për gazetarët, Bërnabiç u shpreh se Prishtina nuk ka asnjë gatishmëri për marrëveshje.
“Fatkeqësisht, nuk kam asnjë pritshmëri nga takimi. Nuk e shoh se si do të ndryshojë kjo dhjetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit. Nuk e shoh gatishmërinë e Prishtinës”, tha Bërnabiç.
Më tej, ajo shtoi se Prishtina është shpërblyer për mos zbatimin e marrëveshjes së Brukseliut, në të cilën përfshihet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, shkruan N1.
Bërnabiç theksoi se Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit edhe gjatë vitit 2022, duke ua mohuar dy herë të drejtën serbëve për të votuar në zgjedhjet e shpallura nga Beogradi.
Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur sot në Bruksel, ku pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Takimi do të fillojë në orën 18:00. Në qendër të diskutimeve në takim do të jetë çështja e të pagjeturve si dhe ngritja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky do të jetë takimi i parë mes Vuçiç dhe Kurtit pasi arritën një marrëveshje në Ohër më 18 mars.
Lini një Përgjigje