
Prezenca e KFOR në Kosovë nuk e ka pritur shumë mirë paktin e Prishtinës me Ankaranë për të blerë dronë “Bayraktar TB-2”.
Përmes një komunikate KFOR-i kanë deklaruar se ata kanë autoritetin kryesor për hapësirën ajrore mbi Kosovë. Pra, Kosova nuk i përdor dot pa u koordinur me misionin e NATO.
“Lidhur me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve dhe kufizimet përkatëse, duke përfshirë Bayraktar TB-2, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, Komandanti i Forcave të Kosovës (KFOR) ka autoritetin kryesor për hapësirën ajrore mbi Kosovë”, thuhet në komunikatë.
KFOR-i sqaron se hapësira ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovë nga një vend në tjetrin përmes fluturimeve komerciale.
“Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovën nga një vend në tjetrin përmes fluturimeve komerciale; hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret për nevoja specifike, rast pas rasti dhe sipas autorizimit të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it. Presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese”, thekson deklarata.
KFOR-i thotë se vazhdon të mbështesë zhvillimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës sipas mandatit të tyre fillestar.
“Mbështesim FSK-në për operacionet e mbrojtjes civile siç janë shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi dhe reagimi ndaj derdhjeve të materialeve të rrezikshme”, mbyllet deklarata.
Lini një Përgjigje