TAGS-AT E JAVËS

Kosova22 Shkurt 2025, 12:12

Albin Kurti, pengesa kryesore kundër zbatimit të axhendës autokratike të Trump në rajon 

Shkruar nga Alejandro Esteso Pérez

Albin Kurti, pengesa kryesore kundër zbatimit të axhendës

Tre skenarët që mund të ndodhin në Kosovë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit

Më 9 shkurt, qytetarët e Kosovës u thirrën për të votuar në zgjedhjet ku sipas të dhënave paraprake, morën pjesë mbi 40 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Për herë të parë që nga pavarësia e vendit, në këtë proces mori pjesë edhe  diaspora saj, e cila ishte në gjendje të votonte me postë ose në një nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës nëpër botë.

Mbi 15.000 qytetarë të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, votuan në një nga 43 qendrat e votimit që ishin ngritur në ambasadat dhe konsullatat anembanë botës. 68.000 të tjerë e dërguan votën e tyre me postë. Ditën e votimit nuk u regjistrua asnjë incident serioz.

Të gjithë aktorët kryesorë politikë  e pranuan legjitimitetin e rezultatit të zgjedhjeve, që në përgjithësi ishin të lira dhe të ndershme. Dhe kjo dëshmon para së gjithash, konsolidimin e shpejtë të Kosovës si një nga demokracitë më të shëndetshme në Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa po numërohen votat e fundit, rezultatet paraprake tregojnë fitoren e qartë të partisë Vetëvendosje (VV) të kryeministrit aktual Albin Kurti, e cila ka marrë 40.8 për qind të votave.

Kurti, për të cilin këto zgjedhje ishin pjesërisht edhe një test mbi popullaritetin e tij, garoi me premtimin e vazhdimësisë së reformave të nisura dhe mbi frymën e madhe që mbështeti mandatin e tij të parë 4-vjeçar.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura në vitin 2021, VV-ja fitoi e vetme shumicën dhe mundi ta udhëheqë vendin me një shumicë komode në parlament. Teksa mandati i Kurtit u fokusua kryesisht në forcimin e sovranitetit të Kosovës, që është parë kryesisht në terma pozitivë nga elektorati, ai u njollos nga dyshimet për frikësimin dhe presionin ndaj mediave të pavarura në vend.

Tri partitë kryesore në opozitë, përkatësisht Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), arritën rezultate më modeste, përkatësisht 22, 17.7 dhe 7.5 për qind.

Të tria grupet, të dëmtuara nga perceptimi publik si të korruptuara dhe të paafta për të ofruar një alternativë të besueshme ndaj VV-së së Kurtit, nuk arritën të bindin një pjesë të konsiderueshme të elektoratit. E megjithatë, edhe PDK-ja dhe LDK-ja dolën më mirë se në zgjedhjet e vitit 2021.

Për shumë njerëz, këto parti janë përfaqësuese të “gardës së vjetër politike” të Kosovës, e cila është kritikuar për dështimin për t’u angazhuar seriozisht në reformat e brendshme dhe demokratizimin e vendit.

Po ashtu ato janë të lidhur ngushtë me personazhe kontroverse si ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili aktualisht përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, apo edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

20 vendet në parlamentin kosovar të rezervuara për komunitetet joshqiptare, pritet të ndahen midis Listës Srpska (SL) të mbështetur nga Serbia dhe partive të tjera të pakicës. Tek këto të fundit përfshihen ato që përfaqësojnë komunitetin turk, rom, boshnjak dhe goran të Kosovës.

Nën këtë sfond, duken të mundshëm të paktën tre skenarë kryesorë. E para ka të bëjë me vazhdimin e Albin Kurtit si kryeministër në një qeveri të udhëhequr nga VV-ja, e cila nuk do të arrijë të ketë një shumicë parlamentare.

Ndaj Kurti do të kishte nevojë për mbështetjen e të paktën disa partive joshqiptare, duke përfshirë ndoshta SL. Mbetet e paqartë nëse SL, e mbështetur dhe e financuar nga qeveria në Beograd, do të bashkëpunonte për të siguruar një mandat të ri të Kurtit.

Gjatë mandatit të kaluar, marrëdhëniet ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe pakicës serbe u përkeqësuan gjatë disa episodeve plot tension. Këtu përfshihet largimi masiv i serbëve të Kosovës nga institucionet publike në veriun e populluar me serbë, si dhe një seri lëvizjesh të fuqishme që synojnë ushtrimin e sovranitetit mbi serbët e Kosovës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, pjesë e qeverisë duhet të jetë të paktën një ministër nga komuniteti serb. Një zhvillim në këtë skenar, mund të përfshijë arritjen nga VV-e një shumicë parlamentare në koalicion me PDK-në.

Disa zëra po flasin për gatishmërinë e PDK-së për të bashkëpunuar me partinë e Kurtit përpara zgjedhjes në parlament të presidentit të ri të vendit - të planifikuar për vitin 2026 - në të cilën kërkohet një shumicë parlamentare prej 2/3 e votave.

Megjithatë, për votuesit e Kurtit nuk do të ishte e kuptueshme nëse VV do të hynte në një marrëveshje koalicioni me një pjesë të gardës së vjetër politike të Kosovës.

Në fund të fundit, ata janë njerëzit kundër të cilëve kryeministri e ka ndërtuar besueshmërinë e tij politike.

Një skenar i dytë, mund të përfshijë pamundësinë e VV-së së Kurtit për të arritur një marrëveshje me ndonjërën nga palët në Kuvend, duke mos arritur kësisoj shumicën parlamentare. Në këtë rast, 3 partitë opozitare shqiptare - PDK, LDK dhe AAK - mund të bashkohen për të mbledhur një shumicë alternative krahas mbështetjes së disa prej partive jo shqiptare.

Përderisa në përqindje ato e tejkalojnë VV-në, mbetet të shihet nëse shifrat në parlament do të jenë në favor të tyre. Nga ana tjetër, përtej synimit të tyre për të rrëzuar Kurtin, të tria partive u mungon një projekt i përbashkët politik.

Skenari i tretë dhe ndoshta më pak i mundshëm, përfshin një ngërç të madh parlamentar dhe pamundësinë e formimit të ndonjë shumice. Kjo do ta detyronte presidenten e Kosovës Vjosa Osmani që të thërriste zgjedhjet e reja.

Duke gjykuar nga trajektorja e tyre e momentit, ky skenar mund t’i sjellë dobi PDK-së dhe LDK-së në planin afatmesëm, por duket se është shumë herët për ta thënë këtë. Tensionet midis Kosovës dhe BE-së janë rritur që kur Kurti mori detyrën në vitin 2021.

Aleatët tradicionalë të BE-së, si Gjermania, kanë shprehur rregullisht shqetësimin e tyre për ushtrimet e njëanshme të sovranitetit të kryeministrit - kryesisht përballë popullatës serbe të Kosovës - dhe kanë kërkuar veprime të koordinuara me qeveritë e BE-së.

Madje që nga viti 2023, Kosova ka qenë subjekt i sanksioneve të ashpra ekonomike nga BE-ja, kur për Brukselin u bë e qartë se Prishtina nuk ishte në gjendje të menaxhonte si duhet situatën në veri të Kosovës.

Mosmarrëveshjet mbeten të pazgjidhura edhe sot e kësaj dite, pasi qeveritë e BE-së refuzojnë të heqin sanksionet, ndërsa Kurti këmbëngul tek veprimet e tij të njëanshme. Dhe e gjitha kjo përbën një rreth vicioz që mbi të gjitha, është duke i shkaktuar një dëm të madh zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.

Nëse ngjarjet nuk marrin një kthesë të madhe, një mandat i dytë i mundshëm për Albin Kurtin, ka të ngjarë të mos sjellë ndryshime thelbësore në gjendjen aktuale të punëve përballë Brukselit. Kjo do të dobësonte më tej pozicionin e Prishtinës në lidhje me një nga aleatët e saj më të ngushtë.

Megjithatë, kjo perspektivë duhet të rivlerësohet domosdoshmërisht në sfondin e kthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Shkurtimet e menjëhershme dhe agresive të ndihmës ndërkombëtare të presidentit amerikan, duket se janë një paralajmërim i asaj se si do të jetë riorganizimi masiv i politikës së tij të jashtme.

Roli i zgjeruar i të dërguarit të posaçëm Richard Grenell - i cili veproi si i dërguari i Trump në Ballkanin Perëndimor gjatë mandatit të tij të parë, dhe ndihmoi në orkestrimin e rrëzimit të qeverisë së Kurtit në vitin 2020 - do të jetë shumë i rëndësishëm në zbatimin e axhendës autokratike të Uashingtonit në rajon.

Dhe kjo në një partneritet të fortë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Por ndikimi i Grenellit do të hasë jo pak sfida, nëse Kurti arrin të sigurojë një mandat të dytë në krye të Kosovës.

Në të kundërt, një koalicion i mundshëm PDK-LDK-AAK ka të ngjarë të jetë më akomodues dhe më servil ndaj interesave transaksionale të administratës së re të SHBA-së, duke bërë çdo përpjekje për të ruajtur marrëdhëniet e mira me Uashingtonin./Përshtati "Pamfleti", nga “New Eastern Europe”

Shënim: Alejandro Esteso Pérez, politolog dhe studiues i specializuar në zgjerimin e BE-së dhe politikën e Ballkanit Perëndimor. Lektor mbi politikat e Ballkanit Perëndimor në Universitetin Complutense të Madridit, Spanjë.

albin kurti uashington rajon axhende autokritike

Lini një Përgjigje