Një material gjerman i sapobotuar që vjen prej agjencive ligjzbatuese të Berlinit, thekson se një sasi e madhe mediash në Ballkan, duke përfshirë Serbinë e Kosovën, janë paguar dhe kanë qenë vegla të Vladimir Putinit. Që i bie se edhe këta vegla të BIA-s në Kosovë janë në borderotë e Carit të Kremlinit...
Viktimizimi plot delikatesë që po ndodh me rastin e Klan Kosovës, nuk ngjit, jo se Albin Kurti dhe qeveria e tij janë engjëj, apo se e duan shumë lirinë e shtypit.
Në shumicën qeverisëse të Kosovës, ka plot njerëz që nuk i durojnë dot kritikat që vijnë nga media apo shoqëria. Kjo u pa që në rastin e dy viteve më parë, kur ‘Pamfleti’ publikoi problemet e mëdha në ministrinë e Shëndetësisë së ‘Arben Vitisë së Parë’.
Megjithatë, rasti i Devollëve dhe i Klan Kosovës, i hapur me thënë të drejtën jo në mënyrë parimore, por taktike nga qeveria, duhet të plugohet deri në fund. Pasi përbën një nga kontaminimet më të rrëzikshme të Kosovës shtet, shoqërisë së saj dhe paralajmëron pengmarrjen e herëpashershme të kësaj shoqërie në vitet e ardhshme.
Pa hyrë në gjithë problematikën e çështjes, le të marrim në sipërfaqe dy ngjarje të këtij rasti, për të parë se sa malinj është ky infeksion.
Klan Kosova është një media e hapur në Kosovë nga Aleksandër Frangaj me Baton Haxhiun, për të cilën morën madje edhe licensë kombëtare. Mënyra sesi u krijua dhe nga vinin paratë ishte krejt në terr. Dihet vetëm se ai televizion, edhe pse, duhet thënë, pati profesionalizëm në mjaft sektorë të tij, ishte klientelë e Hashim Thaçit.
Ndërkaq, transaksioni i shitjes së Klan Kosovës nga Frangaj-Haxhiu te vëllezërit Devolli është një enigmë në vete, që kërkon të sqarohet në mënyrën më të qartë të mundshme.
Ku shkuan dhe nga erdhën paratë e shitjes së Klan Kosovës, çfarë ndodhi me transaksionin, e pse qeveria apo autoritetet kontrollore të tregut mediatik në Kosovë, lejuan një transaksion me një kompani që është regjistruar si e ‘Kosovo i Metohije’.
Nuk është as sekret, dhe në Prishtinë asnjëherë se ka bërë kush çështje, edhe pse është skandal i madh, që shumica e bisnesmenëve të Kosovës kanë kod fiskal të Serbisë, titulluar ‘Kosovo i Metohije’. Të gjithë këta biznesmenë, kanë qenë edhe zv.kryeministria të Kosovës e deputetë, me një fjalë njerëz të të gjithë qeverive deri përpara se të vinte në pushtet Albin Kurti.
Pothuajse të gjithë eksportuesit e mëdhenj të Kosovës kanë pasur e kanë nipt tregtar e fiskal serb.
Madje, kur Ramush Haradinaj ka qenë kryeministër i vendit, në selinë e qeverisë ka qenë edhe antena e Omnitelit të Kariçëve, që gjithashtu kanë nipt ‘Kosovo i Metohije’, siç ka edhe partneri i tij i Dukagjinit, që ashtu si edhe Devollët ka media të rëndësishme audiovizive në Kosovë.
Pasja e një regjistri tregtar në Serbi, nuk është një status i domosdoshëm. Pasi biznes në Serbi bëjnë shumë shqiptarë të Kosovës që janë të regjistruar në Kosovë e paguajnë tatime rregullisht. Por ky lloj regjistrimi i ka dhënë këtyre subjekteve dhe miliarderëve të Kosovës një status special nga qeveria serbe. E siç dihet shumë mirë, këtë sektor, pra bizneset në Kosovë i mbulon direkt shërbimi sekret i Serbisë-BIA.
Vetëm për këtë arsye, këta biznesmenë nuk duhej që ta vijonin këtë gjendje vasaliteti e poshtrimi, që konsiderohen si qytetarë serbë me karta identiteti, pasaporta, karta biznesi e që paguajnë taksat në qeverinë serbe.
Tashmë që ata janë të kamur, mund ta bëjnë shumë kollaj shkëputjen nga Serbia, duke thënë se boll më kanë paguar për favoret fiskale, e rradhën e ka të kontrobuojnë për buxhetin e Kosovës.
Por shkëputja nuk bëhet aq kollaj, sepse BIA ka dosje edhe më të zeza, që mund t’i nxjerrë e madje edhe t’i denoncojë e dënojë. Pra me fjalë të tjera, këta shqiptarë të kamur, janë të kapur nga Beogradi. Janë në grackë ! E si të tillë, nuk do të duheshin që të marrin licensa të sektorëve strategjikë të Kosovës siç janë mediat, energjitika, telekomunikacioni, apo edhe ushqimi i popullatës.
Devollët e shokët e tyre, siç e dimë janë njerëzit që kanë në dorë, përveç produkteve bazë ushqimore, energjitikën, mediat, por edhe shëndetësinë.
Një material gjerman i sapobotuar që vjen prej agjencive ligjzbatuese të Berlinit, thekson se një sasi e madhe mediash në Ballkan, duke përfshirë Serbinë e Kosovën, janë paguar dhe kanë qenë vegla të Vladimir Putinit. Që i bie se edhe këta vegla të BIA-s në Kosovë janë në borderotë e Carit të Kremlinit.
Albin Kurti, meqë e çau puçrën e qelbit, duhet ta shtrydhë fort e ta heqë totalisht infeksionin. Duke nisur një rirregjistrim të mediave nga e para. Kush ka nipt serb nuk ka logjikë që të ketë media të Kosovës, sepse kështu funksionon edhe në Serbi, askush nuk i jep nipt një biznesmeni të Kosovës nëse do të hapë një televizion në Beograd. Por këtë, Albini dhe qeveria e tij duhet ta bëjë menjëherë me vepra, e jo me fjalë, siç ka ndodhur me qeveritë paraardhëse që më pas bëheshin miq, putheshin e përqafoheshin.
Meqë u hap infeksioni, duhet dezinfektuar masivisht vendi. / Pamfleti
Lini një Përgjigje