
Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, tha se në ditët në vijim, nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, pritet të shpallet në kërkim ndërkombëtar.
”Bazuar në legjislacionin në fuqi, Prokuroria e Specializuar e Republikës së Kosovës (PSRK), parashtron kërkesë për fletërreshtim ndërkombëtar. Kërkesa drejtohet në Gjykatë dhe më pas adresohet përmes Ministrisë së Drejtësisë. Ne jemi në pritje të Gjykatës. Do të veprojmë menjëherë dhe pa vonesa”, deklaroi Haxhiu.
Në një video të publikuar nga ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, dukej qarte nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiç, ishte pjesë dhe udhëhiqte sulmin terrorist të grupit të armatosur serb mbi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku mbeti i vdekur efektivi Afrim Bunjaku.
Çfarë ndodhi në veri të Kosovës?
Një oficer i Policisë së Kosovës u vra dhe 3 të tjerë u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në veri të vendit. Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur kishte zënë herët në mëngjes në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën edhe 2 policë të tjerë. Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra, gjatë gjithë ditës së diel u shkëmbyen të shtëna me policinë. Në mbrëmje ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se 4 sulmues u vranë. Tre trupat e serbëve u gjetën në të njëjtën ditë, ndërsa i katërti një ditë më vonë. Ndërkohë gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan. Gjithashtu ishin sekuestruar sasi të madhe armatimi.
Lini një Përgjigje