Ish deputetja e PD, Lajla Përnaska, thotë se është e vështirë që të kthehet ideja e ndarjes së Kosovës me rikthimin e Donald Trump si President i Amerikës.
Sipas saj, “nuk duhet të presim prapë një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë sepse nuk është kjo mënyra se si funksionojnë”.
“Amerika ka institucione të forta, ka zyra që ndjekin rajonet e ndryshme… Nuk e shoh rastësi atë që ndodhi në Paris, edhe takimi i Trump me Vjosa Osmanin është shenjë ogurmirë. Unë e lidh edhe me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, por me sanksionet që u vunë pati ngërç. Por, ka analistë që kanë hedhur idenë që administrata e Trump mund të ndikojë në BE që të heqë këto sanksione”, u shpreh Përnaska në studion e “Off the Record”.
Ndërsa zyrtari i Partisë Demokratike, Avenir Peka, theksoi se ideja e shkëmbimit të territoreve ishte e Thaçit, Ramës dhe Vuçiç.
“Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Donald Trump, John Bolton, i cili ishte promotor i idesë së shkëmbimit të territoreve, tha për një media në Kosovë se idenë ma ka sjellë Tony Blair, në emër të Aleksandër Vuçiç, Edi Ramës dhe Hashim Thaçit. Shkëmbimi i territoreve nuk është ide e administratës amerikane, por i është vendosur në tavolinë kancelarive perëndimore nga Thaçi, Vuçiç dhe Rama në sfond. Këshilltari i përbashkët i Ramës dhe Vuçiçit është Tony Blair. Duke ditur se Presidenti Donald Trump është transaksionist, i është prezantuar kështu: “Kemi dy vende në konflikt historik, kanë rënë dakord për një marrëveshje mes tyre. Nëse ata janë dakord, a jeni edhe ju si SHBA dakord?” Pasi është parë kjo marrëveshje, është refuzuar dhe marrëveshja që është arritur është ajo e Uashingtonit”, tha Peka.
Lini një Përgjigje