Kurti u arrestua më 27 prill 1999 në Prishtinë. Deri më 2 maj 1999 është mbajtur në burgun e Prishtinës. Prej 2 maj deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit. Prej 10 qershorit deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit. Prej 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000, në burgun e Nishit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se edhe 24 vjet pas luftës, Kosova ende nuk e di dëmin ekonomik, emocional dhe psikologjik që ia ka shkaktuar lufta e fundit.
Ai i ka bërë këto deklarata në takimin e parë zyrtar të hapur lidhur me Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, që pritet të funksionalizohet shpejt.
Në luftën e fundit në Kosovë, forcat serbe kanë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe mbi 6.000 vazhdojnë të jenë të zhdukur.
“Askush nuk duhet të pretendojë se lehtësisht do t’i zgjidhim të gjitha problemet që janë shkaktuar që 24 vjet. Do të jetë e vështirë, shumë e vështirë. Njerëzit janë të lodhur, viktimat kanë humbur besimin në sistem, gjeneratat besa po vdesin çdo ditë, dhe kështu po humbet kujtesa parësore e luftës. Ky është një rrezik i madh, i cili na kanoset, e të cilin nuk guxojmë ta lejojmë të ndodhë. Edhe sot, 24 vjet pas luftës, nuk kemi një shifër që do të mund të na tregonte, se cili është dëmi ekonomik që lufta i ka shkaktuar vendit tonë. Situata është edhe më keq në raport me dëmin emocional e psikologjik, të cilin nuk e kemi adresuar aspak për këto vite. Paqja kërko drejtësi, por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhur asnjëra dhe viktimat e luftës i meritojnë që të dyja”, tha Kurti.
Teksa e ka prezantuar punën e Institutit, Kurti ka thënë se ai do ta ketë linjën e vet buxhetore dhe ekspertë të fushës.
Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.
Gjithashtu Albin Kurti, ka qenë një i arrestuar politik gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe u lirua më 7 dhjetor 2001 pas presionit të ndërkombëtarëve për të liruar të burgosurit politikë të regjimit serb.
Kurti u arrestua më 27 prill 1999 në Prishtinë. Deri më 2 maj 1999 është mbajtur në burgun e Prishtinës. Prej 2 maj deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit. Prej 10 qershorit deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit. Prej 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000, në burgun e Nishit.
Procesi gjyqësor ndaj Kurtit ka filluar më 9 mars 2000, ndërkaq më 13 mars është shqiptuar dënimi prej 15 vjetësh nën akuzën “cenimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë”, sipas nenit 116.
Sërish, prej 14 mars 2000 deri në nëntor, ka qenë në burgun e Pozharevcit. Intervista e dhënë në burg është më 22 prill 2000.
Prej nëntorit 2000 deri më 3 dhjetor 2001 ka qenë në burgun e Quprisë, ndërkaq prej 3 dhjetor 2001 deri më 7 dhjetor, sërish në burgun e Nishit.
Përveç burgut në Serbi, Kurti është arrestuar disa herë edhe në Kosovë.
Lini një Përgjigje