TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Shtator 2025, 16:06

Zhupa shpërthen ndaj draftit të Kodit Penal: Rama po tenton të burgosë gazetarët me ligj

Shkruar nga Pamfleti

Zhupa shpërthen ndaj draftit të Kodit Penal: Rama po tenton të

Qeveria ka bërë sot prezantimin e dytë publik të draftit të ri të Kodit Penal, një nismë që ka ngritur alarmin në radhët e gazetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe opozitës politike. Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme, qeveria nuk ka reflektuar asnjë ndryshim në nenet më problematike që prekin drejtpërdrejt lirinë e shprehjes dhe të medias.

Kryetarja e Komisionit të Medias, Ina Zhupa, e ka cilësuar këtë draft si një përpjekje të hapur për të futur frikën dhe kërcënimin penal mbi gazetarët, duke i bërë ata subjekt të ndëshkimeve të rënda vetëm për faktin se publikojnë informacione kritike ndaj qeverisë apo sistemit të drejtësisë. Sipas saj, fjala e lirë po vendoset në grackën e një metodologjie represive dhe djallëzore.

Zhupa denoncon katër nene specifike si më të rrezikshmet:

Neni 865 (Shpifja): forcon dënimet penale në mënyrë të skajshme, sidomos kur bëhet fjalë për media;

Neni 863 (Fyerja): fut terma të paqarta si “shqetësimi i opinionit publik”, duke krijuar terren për abuzim;

Neni 536 (Ndikimi në pavarësinë e gjykatës): ndalon komentet mbi proceset gjyqësore, duke i mbyllur gojën medias;

Neni 517 (Dhënia e Informacioneve): kriminalizon publikimin e të dhënave që lidhen me hetimet apo operacionet, çka godet në thelb gazetarinë investigative.

Për më tepër, Zhupa thekson se dëgjesat publike janë një farsë, pasi askush nga shoqëria civile nuk u dëgjua realisht. Ajo paralajmëron se me konstituimin e sesionit të ri parlamentar, do ta ndjekë këtë çështje me prioritet absolut dhe do të përdorë të gjitha mjetet kushtetuese për të mos lejuar miratimin e një Kodi Penal që rikthen censurën me firmë qeveritare.

Postimi i plotë

Gazetarët do ndjehen të fyer po nuk i futem në burg; Gazetarët duhen mbajtur nën kërcënim penal; Gazetarët duhet të kenë frikë kur publikojnë lajme për qeverinë dhe për gjykatat; këto ishin disa nga postulatet e kodit të ri penal të Edi Ramës kundër lirisë së medias dhe gazetarëve.

Metodë represive dhe insistim djallëzor për të heshtur dhe kontrolluar gazetarët nëpërmjet kodit të ri penal, totalisht të papranueshëm me standartet europiane.

Riprezantimi i sotëm, i kamufluar si dëgjesë ku su dëgjua askush nga shoqëria civile, nuk kishte ndryshuar aspak qasje të kodit penal ndaj lirisë së medias.

Nenet problematike që cënojnë drejtpërdrejtë lirinë e shprehjes, lirinë e ushtrimit të profesionit të gazetarët dhe fjalën e lirë vazhdojnë dhe mbrohen me absurditete si në videon bashkëlidhur.

Neni 865 (Shpifja) rrit ndjeshëm dënimet, veçanërisht kur informacioni shpërndahet nëpërmjet kanaleve mediatike dhe përdoret si mjet kërcënimi i drejtëpërdrejtë për gazetarët.

Neni 863 (Fyerja) për fyerjet e rënda prezanton kritere të paqarta si “shqetësimi i opinionit publik” dhe “zakonet e mira”, duke mos pasur përkufizime të qarta dhe duke lënë mundësi për interpretim subjektiv dhe zbatim selektiv.

Neni 536 (Ndikimi në pavarësinë e gjykatës) është veçanërisht shqetësues pasi ndalon gjerësisht bërjen apo publikimin e komenteve mbi procedurat gjyqësore, duke ndërhyrë kështu drejtpërdrejt në rolin thelbësor mbikëqyrës të medias dhe duke minuar transparencën.

Neni 517 (Dhënia e Informacioneve) ndalon ‘dekonspirimin’ e operacioneve policore dhe hetimeve, duke prekur drejtpërdrejt punën e mediave, veçanërisht në rastet e investigimit. Kur një gazetar publikon informacion lidhur me një operacion ose hetim në proces, ligji tashmë e përkufizon si dekonspirim.

Për të gjitha këto kishte zero reflektim, përkundrazi një mbrojtje sharlatane për ti lënë të pandryshuara pavarësisht reagimit të Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt, partnerë të Nismës për Reagim të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) dhe organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri.

Ndërkohë që do duhet të kemi një kod penal që e trajton çështjen e gazetarëve dhe lirisë së medias në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe rekomandimet e BE-së, dhe siç parashikohet në Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës dhe siç kërkohet nga shoqëria civile dhe komuniteti i medias.

Me konstituimin e legjislaturës së re të kuvendit do e ndjek me prioritet absolut këtë çështje, duke përdorur të gjitha instrumentat kushtetues për të dëgjuar grupet e interesit, për të ndjekur standartet europiane dhe për mos lejuar cënimin e lirisë së medias.

Lini një Përgjigje