
Një mbledhje e Kryesisë së vogël të Partisë Demokratike ka nisur në selinë e kësaj partie, ku pritet të miratohet emri që ky subjekt do t’i paraqesë aleatëve të saj lidhur me Bashkinë e Tiranës.
Të pranishëm në këtë mbledhje janë kreu demokrat, Sali Berisha, kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, nënkryetari Oerd Bylykbashi, Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, si dhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj. Gjithashtu të pranishëm janë edhe Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti, që janë në grupin negociator të caktuar nga Berisha për të komunikuar me aleatët.
Më herët, Berisha deklaroi se PD ka 12-13 kandidatura të gatshme që të hyjnë në garën për Bashkinë e Tiranës.
“Shpresoj se do të kemi një emër por do të kemi konsultime edhe me aleatët, kemi disa propozime. Ka disa që e kanë shprehur publikisht ka edhe që kemi kanë bërë të ditur privatisht. Disa prej tyre i dini tashmë. Janë pedagogë, personalitete të ndryshme që dua t’i marr më parë autorizimin që t’ua bëj emrat publikë”, tha ai.
Pritet që kryesia e vogël e PD-së të dalë me një emër kandidati që më pas do t’i paraqitet aleatëve, ndërsa procesi i përzgjedhjes së një kandidati të unifikuar mund të mbyllet brenda ditës së mërkurë.
Lini një Përgjigje