
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar Ramën se u ka mohuar të drejtën e votimit 6153 banorëve të Himarës, në zgjedhjet e pjesshme lokale që u mbajtën sot.
Ai nuk nguroi ta quante moslejimin e qytetarëve me karta identiteti të skaduara, një akt kriminal të Edi Ramës.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, misionareve dhe misionarëve të vërtetë të kauzës së drejtë, kauzës së madhe, të çdo shqiptari të ndershëm, të çdo shqiptari, atdhetarë, patriot, të kauzës së lirisë, interesit kombëtar, shpresës dhe besimit.
Një përshëndetje u dërgoj sonte të gjithë qytetarëve të Himarës, që ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese në një votim që vjen pas grabitjes monstruoze të mandatit të Fredi Belerit, nga Edi Rama dhe bandat e tij.
Miqtë e mi!
Sot përsëri zgjedhjet në Himarë dëshmuan intolerancën e plotë, dëshmuan krimin monstruoz elektoral, shtetëror. Dëshmuan fytyrën e vërtetë të Edi Ramës.
Sot Edi Rama ju mohoi të drejtën e votimit, e ushtrimit të së drejtës kushtetuese për votimin 6153 banorëve të Himarës se me pretekstin se atyre u kishin skaduar kartat e identitetit.
Ky dënim, ky ndëshkim i qytetarëve të Himarës, se kartat e tyre kishin skaduar ndërkohë që kishte skaduar vetëm data, por nuk kishte ndryshuar asnjë nga elementët e sigurisë që dëshmonin identitetin e qytetarit, është një akt kriminal, është një akt që fakton për të qintën herë se me Edi Ramën, zgjedhje të lira nuk ka dhe nuk do të ketë.
Të dashur miq!
Në zgjedhjet e 14 majit, në Himarë dhe mbarë vendin u zgjat afati i përdorimit, apo u autorizua përdorimi i kartave të identitetit që u kishte skaduar afati.
Kurse sot pas një pune të zezë të identifikimit të zgjedhësve me karta të skaduara doli se në shumicë dërrmuese ata ishin zgjedhës të djathtë dhe Edi Rama refuzoi të firmosë dje, vendimin e qeverisë për të autorizuar vlefshmërinë e kartave pavarësisht nga data e skadimit”, u shpreh Berisha.
Lini një Përgjigje