TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Nëntor 2025, 14:30

Zgjedhjet në 5 Bashki, pse Berisha nuk foli për humbjen e 9 nëntorit?

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet në 5 Bashki, pse Berisha nuk foli për humbjen e 9

Si rrallëherë, kreu demokrat Sali Berisha nuk flet apo bën komente për një ngjarje të caktuar, aq më shumë politike.

Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha mbajti një fjalim që zgjati pothuajse 60 minuta, ndërsa çështja e vetme për të cilën nuk foli ishin zgjedhjet e mbajtura në 5 bashki: Vlorë, Tepelenë, Mat, Berat dhe Cërrik.

Të 5-ta Bashkitë u fituan nga kandidatët e PS-së, me përqindje të frikshme, edhe pse pjesëmarrja ishte ndër më të ulëtat, veçanërisht në Vlorë, ku kandidatja fituese do të qeverisë qytetin me vetëm 15 mijë vota.

Nuk është se rezultatet në të 5 Bashkitë nuk priteshin, por shmangia e komenteve duket si një shmangie përgjegjësie nga Partia Demokratike.

Në 9 nëntor, PD dhe aleatë të saj, vendosën të dilnin me kandidatë të pavarur, për të cilët thanë se do t’I mbështesnin, ndërsa skema qartazi dukej si një justifikim për atë që do të ndodhte: humbjen.

Në prag të zgjedhjeve të pjesshme vendore, Bujar Leskaj, drejtuesi politik për Vlorën, dha dorëheqjen, një sinjal ky që tregonte qartazi rezultatin në zgjedhjet për Bashkinë e Vlorës, ku kandidati i mbështetur nga PD nuk arriti të marrë as 2400 vota.

Po kështu në një tjetër Bashki të madhe si ajo e Beratit, kandidati i mbështetur nga PD dhe aleatët e saj, kaloi kufirin e 2600 votave, shifër kjo katastrofike për një grupim partish që ishte rreshtuar në mbështetje të tij.

Në Tepelenë, kandidati i opozitës nuk kapi shifrën e 1 mijë votave, ndërsa në Cërrik nuk arriti të marrë as 2 mijë vota.

E vetmja bashki ku kandidati i mbështetur nga opozita kaloi shifrën e 3 mijë votave ishte në Mat, që në zgjedhjet e djeshme, u regjistrua edhe pjesëmarrja më e lartë, krahasuar me 4 bashkitë e tjera.

Përtej shifrave katastrofike, ajo që dështoi në 9 nëntor ishte edhe skema e zgjedhur dhe e mbështetur nga Berisha, që opozita të përfaqësohej me kandidatë të pavarur, të paktën të shpallur si të tillë, ndërsa gjithçka u pranua apriori, duke mos kaluar në asnjë filtër dhe duke mos tentuar të gjehen emra me një impakt në publik.

   

Lini një Përgjigje