Amerikanët i kanë bërë të ditur Edi Ramës se nëse do të guxojë ta përfshijë Shqipërinë në një operacion që cënon stabilitetin në vend dhe atë në rajon, do të ketë ndëshkimin e duhur...
“Republika e Prokurorëve” që Edi Rama e shpalli në Kongresin e PS-së, nuk është gjë tjetër veçse një mesazh i tij ndaj SHBA. Pasi sado që Rama përsërit vazhdimisht se ishte PS që e solli këtë realitet të reformës në Drejtësi, “Republika e Prokurorëve” nuk ka president Bablokun.
Ndaj ky i fundit, ka menduar që të rrëzojë tavolinën në kulmin e lulëzimit të asaj që e quajti “Republikë të Prokurorëve” dhe që në publik konsiderohet “tokë amerikane”.
Zgjedhjet e parakohshme në majin e këtij viti, nuk janë aspak një operacion i lehtë për Edi Ramën dhe mazhorancën. Madje janë një operacion shumë i vështirë, deri edhe i pamundur. Sepse Rama kur aktualisht ka një mazhorancë me numrat e dukur për të qeverisur, nuk ka përse e çon vendin në zgjedhje, një vit para kohe. E vetmja mënyrë për t’i provokuar është dorëhëheqja e qeverisë së tij në mënyrë artificiale, por jo se ka një ngërç kushtetues.
Ndërkaq, mësohet se si SHBA ashtu edhe BE nuk e mbështesin këtë operacion pa sens të Edi Ramës, duke qenë se ndërkombëtarët janë angazhuar për të suportuar një pakt të madh të reformës kushtetuese dhe zgjedhore mes mazhorancës dhe opozitës.
Nëse Edi Rama e bën këtë hap, do ta bëjë duke ndaluar reformën kushtetuese e zgjedhore, por edhe duke bllokuar një sërë hetimesh të SPAK ndaj qeverisë, të cilat priten.
E kjo realisht është pjesa ku Edi Rama, ka dashur të çojë mesazhin e qartë ndaj “kreut të Republikës së Prokurorëve”.
Siç mësohet, Edi Rama ka bërë të ditur, se nuk do të lejonte që SPAK të trazonte këtë mazhorancë që ka jetësuar Reformën në Drejtësi. Madje për këtë po bën lobing të fortë edhe në Uashington, pikërisht nga frika se SPAK do të avancojë hetimet ndaj qeverisë.
Si Berisha, ashtu edhe Rama ka dërguar sinjal se është gati të bëjë ‘kamikazin’ nëse vëren të dhëna që kërcënojnë qeverinë e tij.
“Reformën nuk e ka sjellë SHBA por Partia Socialiste e Shqipërisë” është mesazhi i fortë i Edi Ramës, për të çuar një paralajmërim tek aleatët, se ai është gati ta çojë vendin në zgjedhje, me këtë kod e me këtë Kushtetutë, ku më të kërcënuarit janë deputetët që kanë lidhje me SHBA dhe Britaninë e Madhe. Të cilët i ka kërcënuar në mbledhjen e së hënës se do t’i shohin zgjedhjet në televizor, duke mos pasur mundësi të kandidojnë. Nuk janë shumë deputetët që Rama i ka kërcënuar se do t’i zëvendësojë, por janë pikërisht ata që hyjnë e dalin në ambasadat e SHBA dhe Britanisë së Madhe. Të cilët edhe kanë folur për lidhjet nepotike dhe korruptive në mazhoroancë.
Megjithatë, burimet bëjnë të ditur se Rama e ka gati planin reserve të zgjedhjeve të parakohshme, sipas të cilit do të ndryshojë 70 përqind të deputetëve aktualë të PS-së. Ndryshimet më të mëdha priten në qarkun e Tiranës, Durrësit e Elbasanit, ku vetë Babloku ka nisur një sërë diskutimesh me grupe interesi jashtë strukturave të PS-së. Burime të ‘Pamfleti’-t, thanë se amerikanët i kanë bërë të ditur Edi Ramës se nëse do të guxojë ta përfshijë Shqipërinë në një operacion që cënon stabilitetin në vend dhe atë në rajon, do të ketë ndëshkimin e duhur. Gjasat janë që Presidenti i Republikës të mos dekretojë zgjedhje të parakohshhme, kur ato normale parashihen në pranverën e vitit 2025.
Nëse Edi Rama jep dorëheqjen, gjasat janë që Presidenti të kërkojë që të ngrihet në qeveri teknike, që ta dërgojë vendin në zgjedhje, duke bërë edhe reformën zgjedhore. Ndërkaq nëse Rama do të detyrojë mazhorancën që të heqë dorë nga reforma zgjedhore, atëherë pritet të ndërhyjë “Republika e Prokurorëve”, ndërhyrje që do të jetë fatale. /Pamfleti
Lini një Përgjigje