Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR ka nisur punën në Tiranë për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Ambasadori Lamberto Zannier në një konferencë për mediat tha se 300 vëzhgues afatshkurtër do monitorojnë standardet, 26 vëzhgues afatgjatë do shpërndahen në Shqipëri.
Zannier theksoi se do të ketë një vëmendje të veçantë për zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të ODIHR mbi standardet e zgjedhjeve, si dhe për monitorimin e fushatës në rrjetet sociale.
“Sot hapim zyrtarisht misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR. Për ditën e zgjedhjeve do të kërkojmë 300 mbikëqyrës afat shkurtër që do të vijnë në Shqipëri pak para zgjedhjeve. Në ditën e zgjedhjeve do të ketë një komponent më të gjerë të vëzhguesve, vëzhgues nga Asambleja Parlamentare e OSBE, Asambleja Parlamentare e KiE dhe Parlamenti Evropian. Qëllimi i këtij misioni do të jetë vlerësimi i kryerjes së këtij procesi, nëse do të jenë në përputhje me angazhimet e Shqipërisë ndaj OSBE-së dhe detyrime të tjera të Shqipërisë, si edhe përputhja me legjislacionin vendas. Do të monitorojmë nga afër të gjitha aspektet e zgjedhjeve, si kuadri ligjor, zbatimi i fushatës edhe në rrjetet sociale, puna e administratës zgjedhore në të gjitha nivelet, mosmarrëveshjet dhe mbulimi mediatik në përgjithësi. Si pjesë e këtij procesi do të jenë edhe takime me përfaqësues të shtetit, partive politike, shoqërisë civile, medias dhe faktorit ndërkombëtar”, u shpreh Zannier.
Drejtuesi i misionit njoftoi se gjatë procesit do të vlerësohet përputhshmëria e zgjedhjeve me angazhimet ndërkombëtare dhe legjislacionin vendas.
Zannier është pyetur nëse do të ketë një bashkëpunim me SPAK nëse vëzhguesit do të zbulojnë krime zgjedhore.
“Do ta shikoj këtë iniciativë të SPAK dhe nuk kam një koment për momentin.Ne do ti vendosim gjetjen në raport, ne nuk jemi këtu të bëjmë detyra te tjera.Të gjitha gjetjet tona do vendosen në raport.Jemi shumë të angazhuar për të bashkëpunuar me autoritetet por ama gjetjet e parregullsive do të ndahen përmes raportove tona”, tha ai.
Lini një Përgjigje