
Nënkryetari i Partisë Demokratike u ka kërkuar emigrantëve shqiptarë në Greqi, që të votojnë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në një fjalim të mbajtur gjatë tubimit të Partisë Demokratike në Athinë, Gjekmarkaj iu drejtua shqiptarëve të Greqisë duke i thënë se vota e tyre do të sjellë ndryshim në Shqipëri.
Ai u shpreh se bota shqiptare ka ndalur entuziazmin për shkak të qeverisjes aktuale, duke shtuar se PD ka një mision të qartë. Gjekmarkaj e konsideroi votën si një mundësi për të mbyllur plagët e shkaktuara nga qeverisja e Edi Ramës, duke theksuar se është koha për të larguar diktatorin dhe për të rikthyer demokracinë.
“Sot bota shqiptare e ka ndalur entuziazmin në këtë sallë. Agora e demokracisë buçet në gjuhën shqipe. Ata kanë vetëm një dëshirë: “Make Albania great again”. Shqipëria prej vitesh mbahet me punën tuaj. Sot kërkohet vota si balsam për plagët e shkaktuara nga Edi Rama. Itaka juaj e përjetshme është atje. Më 11 maj duhet ta largojmë dëbuesin e shqiptarëve Edi Ramën.
Vota për PD është për ndryshim. Berisha është këtu për besëlidhje, për të rrëzuar diktaturat dhe rikthimin e demokracisë. Besojini historisë së tij. Fitore dhe vetëm fitore më 11 maj”, u shpreh Gjekmarkaj.
Lini një Përgjigje