TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Nëntor 2023, 18:23

Zbardhet ligji/ Rama i jep “ushqim” Berishës të vijojë kaosin në Kuvend, “zhbën” totalisht komisionet hetimore

Shkruar nga Pamfleti
Zbardhet ligji/ Rama i jep “ushqim” Berishës të
Berisha-Rama dhe kaosi në Kuvend

Është folur shpesh se ka një koordinim Rama-Berisha për kaos politik dhe me këtë ligj kryeministri i vë kapak...

Edi Rama i ka dhënë një tjetër arsye Sali Berishës që të vijojë kaosin në Parlament. Teksa ka refuzuar të ulet në tryezë, sot mazhoranca bërë një tjetër hap, që me shumë gjasë do t’i hedhë “benzinë zjarrit”.

PS duket se ka vendosur të bllokojë një herë e mirë komisionet hetimore. Teksa opozita po proteston dhe ka nisur një revoltë në Kuvend me argumentin se PS nuk pranon komisionet hetimore të kërkuara prej saj, mazhoranca ka nxjerrë sot një draft, i cili zhbën totalisht komisionet hetimore.

Justifikimi i PS ka qenë gjithë këto muaj se duhet të ndryshohet ligji dhe nuk mund të ketë komision derisa ai të kalojë. Mirëpo drafti i depozituar nga Ermonela Felaj, i mbyll çdo lloj rruge opozitës që të kontrollojë qeverinë.

Ligji nis fillimisht me ndryshimin e konceptit për termin "çështje e veçantë". Sipas draftit, me këtë term do të kuptojmë “ato çështje që hetohen ne aspektin e kontrollit dhe zbatimit të ligjeve, të njohjes dhe verifikimit në thellësi të një fenomeni, ngjarje a veprimtarie dhe që nxisin iniciativa për propozime, amendime apo miratime ligjesh, me qellim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë dhe shtetin si dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale”.

Më pas vjen dhe neni i cili mbyll rrugët për të kërkuar komisione hetimore. Aktualisht pika 1 e nenit 3 përcakton: “1. Komisionet hetimore të Kuvendit krijohen për të hetuar çështje të veçanta, sipas nenit 77 pika 2 të Kushtetutës”. Por PS ka këruar të ndryshojë në këtë formë: “Komisionet hetimore të Kuvendit krijohen për te hetuar çështje të veçanta, sipas nenit 77 pika 2 të Kushtetutës. Komisionet hetimore janë mjet efektiv kontrolli që veprojnë vetëm brenda hapësirës kontrolluese te parlamentit e të lidhura në mënyre funksionale me pushtetin e ligjvënësit”. Pra e ka ngushtuar në maksimum objektin e një komisioni hetimor.

Zbardhet ligji/ Rama i jep “ushqim” Berishës të
Drafti për komisionet hetimore

Më pas vijnë ndryshimet në nenin 4 duke bërë që opozita të ketë zero shanse të kërkojë një komision hetimor për aferat e qeverisë.

Komisionet hetimore të Kuvendit ngrihen dhe funksionojnë mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe rregullave të përcaktuara në këtë ligj, si më poshtë vijon; a) Parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve; b) Parimi për një proces te rregullt ligjor; c) Parimi i prezumimit te pafajësisë; d) Parimi i paanshmërise dhe respektimi të jetës private të individit”, thuhet në propozim.

Në nenin 5 përcaktohet dhe se kur mund të votohet ngritja e komisionit. Pra bëhet fjalë për nenin që ka lidhje me situatën aktuale. PS i jep pushtet vetes të refuzojë opozitën.

Kuvendi është i detyruar të miratoje ngritjen e komisionit, kur objekti i hetimit respekton parimet dhe standardet kushtetuese, si me poshtë: a) çështja duhet të ketë të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit; b) Objekti i hetimit duhet të fokusohet në çështje ose në subjekte konkrete; c) Duhet të ekzistojnë të dhëna ose indicie të mjaftueshme, për ekzistencën e çështjes për të cilën kërkohet ngritja e komisionit hetimor”, thuhet në draftin e PS.

Në këtë nen duket se janë futur fjalët e kryeministrit, i cili për të justifikuar bllokimin e komisioneve është shprehur shpesh herë njësoj si pikat më lart.

Në ligj janë futur kufizime dhe për dëshmitarët, duke e ditur se ata që duhet të dëshmojnë janë funksionarë të qeverisë. Mbetet të shihet nëse do kalojë ky ligj, i cili duket se më shumë provokon opozitën sesa nxit dialog.

Është folur shpesh se ka një koordinim Rama-Berisha për kaos politik dhe me këtë lëvizje kryeministri i vë kapak, pasi e sigurt është se opozita nuk pranon draftin dhe ka një argument më shumë për të protestuar. /Pamfleti

Dokumenta bashkëngjitur

Lini një Përgjigje