
Pavarësisht se u vendosën në qendër të fushatës elektorale të Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, gratë nuk u përgjigjën me të njëjtën forcë në kutitë e votimit më 11 Maj.
Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në zgjedhjet e 11 Majit 2025 votuan vetëm 441,327 gra, që përbënin 42.80% të pjesëmarrjes së përgjithshme. Kjo përfaqëson një rënie me mbi 340 mijë votuese krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, kur votuan 799,094 gra, ose 44.99% e elektoratit.
Fushata e socialistëve këtë vit nisi me një theks të veçantë mbi rolin e grave, nën sloganin jozyrtar por shumë të përhapur: “Po deshe të mbarohet puna, merr një grua.”
Që në ditën e parë, u organizuan 12 mitingje njëkohësisht në çdo qark të vendit, ku protagonistet kryesore ishin gratë. Kryeministri Edi Rama u zotua publikisht nga Tirana se Shqipëria do të ketë një grua kryeministre në vitin 2030, ndërsa kërkoi votën e grave për të çuar përpara reformat dhe integrimin europian të vendit.
Megjithatë, retorika optimiste nuk u reflektua në angazhim elektoral nga ana e grave. Përkundrazi, pjesëmarrja e tyre ra ndjeshëm, edhe në qarqe ku tradicionalisht ato kanë dominuar në votime.
Në qarkun e Dibrës, për shembull ku Rama përdori tone të ashpra ndaj burrave, duke i quajtur “çyrykë” dhe “budallenj”, pjesëmarrja e grave ra nga 53.44% në 2021, në 51.72% në 2025. Megjithatë, pavarësisht këtij trendi, socialistët arritën të përmbysin rezultatin në këtë qark, duke dalë fitues për herë të parë pas katër vitesh.
Analistët vlerësojnë se pavarësisht përpjekjeve të PS-së për të aktivizuar gratë si bazë të fuqishme elektorale, rezultati dëshmon një mospërputhje mes strategjisë politike dhe realitetit social, ku faktorë të shumtë – që nga zhgënjimi, deri te mungesa e besimit apo motivimit – mund të kenë ndikuar në rënien e pjesëmarrjes së grave.
Në të kundërt, meshkujt përbënin shumicën dërrmuese të votuesve këtë vit, me 58% të totalit, duke qenë përcaktues për rezultatin final të zgjedhjeve, ndryshe nga strategjia e Ramës që u përqëndrua te vota rozë./ Pamfleti
Lini një Përgjigje