
SHOS, Xi dhe fundi i rendit botëror të pas Luftës së Dytë: Dy kampe po përplasen për të ardhmen e planetit...
Në Tianjin, më 1 shtator 2025, presidenti kinez Xi Jinping bëri atë që Perëndimi e ka pritur me frikë dhe e ka nënvlerësuar për vite me radhë: shpalli fillimin e një rendi të ri botëror, të strukturuar mbi një qeverisje globale “më të drejtë”, me Kinën si arkitekte dhe SHOS-in si themel.
Nën petkun e “bashkëpunimit global”, Xi artikuloi një vizion që sfidon në themel arkitekturën ndërkombëtare të pas Luftës së Dytë Botërore, që nga OKB-ja, te NATO, FMN dhe rendi i tregtisë globale i ndërtuar mbi dollarin amerikan. Ai nuk kërkon më reformim. Ai po kërkon zëvendësim.
SHOS: nga platformë sigurie në bërthamë të një bote të re
Në këtë samit, SHOS kaloi nga një organizatë rajonale në një platformë ideologjike dhe ekonomike që bashkon të pakënaqurit e rendit perëndimor. Nga Kina e Putinit, tek Irani, India, Pakistani, dhe tani edhe shtete më të vogla me aspirata më të mëdha, po krijohet një bllok gjeopolitik që refuzon dominimin e Perëndimit, por jo në mënyrë deklarative, në mënyrë konkrete.
Fjalët kyçe ishin të qarta: “monedha kombëtare”, “rend multipolar”, “qeverisje globale e drejtë”, “jo aleanca ushtarake”. Të gjitha janë kod për: fundi i sistemit të vjetër dhe fillimi i një tjetri, ku të fortët e rinj vendosin rregullat sipas interesave të tyre, jo sipas normave universale.
Rendi i vjetër kundër rendit të ri
Ajo që po ndodh është ndarja e botës në dy kampe të mëdha:
· Nga njëra anë: Perëndimi, me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Japoninë, Australinë; që mendojnë se rendi global, megjithë mangësitë, duhet ruajtur e reformuar.
· Nga ana tjetër: Kina, Rusia, Irani, India dhe një grup vendesh të ashtuquajtura të Jugut Global, që mendojnë se rendi aktual është një padrejtësi historike që duhet shembur.
Këto nuk janë më pikëpamje teorike. Janë programe veprimi. Janë banka të reja zhvillimi, marrëveshje tregtare pa dollarin, bashkëpunim në inteligjencë artificiale, energji, ushtri dhe politikë.
Luftë e ftohtë, versioni 2.0
Nëse Lufta e Ftohtë e ndau botën mbi baza ideologjike (kapitalizëm kundër komunizmit), ndarja e re është më e rrëshqitshme, më fluide, por më e thellë. Sot, beteja është për kontrollin e narrativës, teknologjisë, energjisë dhe kapitalit financiar.
Në një krah qëndron një sistem ku ligji ndërkombëtar mbështet të drejtat e njeriut, demokracinë dhe transparencën; në tjetrin, një sistem ku sovraniteti është mbi çdo normë ndërkombëtare, ku “stabiliteti” është më i rëndësishëm se liria, dhe ku teknologjia përdoret për kontroll, jo për emancipim.
Epoka e padeklaruar e përplasjes globale
Bota nuk është më në rend. Është në tranzicion brutal nga një rend në një tjetër. Dhe ky tranzicion nuk do të kalojë pa përplasje. Ashtu siç na mëson historia, kur sistemet ndërkombëtare bien, luftërat nuk janë pasojë, janë simptoma.
Ukraina, Gaza, Tajvani, Deti i Kinës Jugore, Afrika Perëndimore, janë vetëm skenat e para të një shfaqjeje që po shkruhet në Pekin, Moskë dhe Teheran, për t’u interpretuar në të gjithë globin./Pamfleti
Lini një Përgjigje