TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Korrik 2025, 10:36

Vota e diasporës, një “projekt pilot” i huazuar nga “Ndragheta”

Shkruar nga Pamfleti
Vota e diasporës, një “projekt pilot” i huazuar nga
Edi Rama me diasporën në New York! /

Hija e Ndragheta-s mbi zgjedhjet shqiptare: Si po përsëritet në emigracion modeli kalabrez i blerjes së votes…

Në Italinë e veriut, prokuroritë antimafia të zonës së Lombardisë, kanë përgatitur vite më parë disa dosje të rëndësishme ndaj Ndragheta’s kalabreze. Mafia, aktualisht më e fuqishme në Itali dhe në nivelin global, konsiderohet një nga ndërmarrjet kriminale më të pasura.

Shkrimtari Roberto Saviano, ka deklaruar vite më parë se të ardhurat vjetore të Ndragheta-s ja kalojnë edhe xhiros së një korporate shumëkombëshe si Facebook.

Mafia kalabreze, e cila është importuesja më e madhe në Europë e kokainës nga Amerika latine, paratë e përfituara nga ky trafik, i ka “larë” kryesisht në Italinë e Veriut.

Zonë ku janë përqëndruar një varg kantieresh, biznesesh, që nga ato industriale, të fushës së ndërtimit, por edhe rrjete hotelerie dhe gastronomie.

Duke pasur kështu një rrjet të gjerë personash të besuar që menaxhojnë këto biznese, e si rrjedhim kanë siguruar një jetë të qetë dhe me mirëqenie.

Këto grupe njerëzish, të lidhur shumë me njëri-tjetrin, kanë shërbyer si një serborator votash për parti të ndryshme politike në vend.

Hetimet në Itali zbuluan se që prej viteve ‘90, partia që pati favorin më të madh të këtyre grupeve ishte “Forza Italia” e Silvio Berlusconit.

I cili, njeriun e besuar në rajonin e Lombardisë kishte Nino Caianiello-n, një kalabrez i ardhur në Italinë e Veriut në kohën e bumit ekonomik, në vitet ‘60. Ishte Caianiello që bënte negociatat e duhura, sipas dosjeve të prokurorisë.

Në një emision të programit ‘Report’ të Sigrafido Ranuccit, Caianiello e pranoi diskutimin me njerëzit e Ndragheta-s, duke thënë se në fund të fundit edhe ata janë zgjedhës, pra votojnë.

Ky model i votës në shkëmbim të favoreve politike apo lejeve të ndryshme nga pushteti, siç e ka vërtetuar edhe SPAK me hetimet e tij, është përdorur shumë në Shqipëri. Kryesisht në qarqe ku rrethet kriminale janë shumë të forta dhe xhirojnë sasi të mëdha parash. Të cilët në këmbim të votave merrnin favore nga deputetë, duke i dekonspiruar kontrollet apo hetimet e ndryshme.

Ndërkaq, po të shohësh me kujdes fushatën e fundit, ku votoi diaspora, u përdor ky model i marrjes së votës nga mazhoranca, përkatësisht Partia Socialiste. E cila duhet thënë se ka një rrjet të rëndësishëm militantësh në emigracion. Përgjithësisht ish-anëtarë të PS-së, që kanë lënë vendin pas viteve 90, por që ruajnë simpatinë politike, siç ka dhe nga ana tjetër militantë të PD-së dhe të djathtës.

Por këto anëtarë nuk kanë qenë fare qendra gravitacionale e fushatës së PS-së. E cila u përqendrua kryesisht në ato grupe emigrantësh, që kanë ngritur biznese të ndryshme apo edhe stabilimente të rëndësishme në Italinë e Veriut. Ku mbizotërojnë kantieret e ndërtimit, e ku shqiptarët janë thuajse kontraktorë të dorës së parë që nga ndërtimi, instalimet hidriko-elektrike, hidroizolimet, lyerja dhe fasadat.

Punë e konsoliduar prej vitesh edhe nga probleme të mëdha që Italia ka në demografi dhe në tregun e punës. Kontratat që përfitojnë bizneset shqiptaret në Italinë e Veriut, nuk janë të ngritura thjesht në meritokraci.

Ato janë në radhë të parë, kontrata të ngritura në raport besimi të ngushtë, me investitorët që i kanë paratë për këto kantiere.

Ky raport besimi është i rëndësishëm, pasi qarkullimi i parave të investimeve në territor, nuk është vetëm një proces mëditjeje.

Është edhe një fenomen i rëndësishëm i qarkullimit dhe i risistemimit të vlerave monetare. Në 13 vjeçarin e qeverisjes së PS-së, në shumë kontrata qeveritare, është zbuluar se janë zgjedhur të ashtuquajtur sipërmarrës shqiptarë nga veriu i Italisë. Të cilët nga një firmë e vogël e panjohur janë kthyer në investitorë e industrialistë të aparateve mjekësore apo përpunimit të mbeturinave.

Papritur, pas këtyre hijeve të panjohura, kanë “shpërthyer” kontraktorë anonimë, të cilët kanë investuar fonde të mëdha në operacione të komplikuara.

Një model që përdoret prej vitesh nga organizata të ndryshme kriminale, të cilët pastrojnë dhe rifusin në sistem fitimet e trafiqeve të ndryshme.

Mjafton t’i referohesh eventeve shumë të kushtuesve që janë zhvilluar në salla të shtrenjta me pagesa të larta për materiale zgjedhore, lëvizje e shpenzime, për të dyshuar se kemi të bëjmë me organizata që qarkullojnë mjete të mëdha monetare. Të cilat lëvizin vetëm për dy synime; atë të riqarkullimit apo të kontratave të mëdha, të cilat përpos fitimit, kanë brenda edhe pastrimin e parave.

Modeli i përdorimit të grupeve të tilla sipërmarrësish më shumë se me ushtrinë e militantëve, po bëhet gjithnjë e më i përdorshëm, në të vërtetë jo vetëm në Shqipëri.

Por që nga vende të mëdha e “kampione demokracie” si SHBA. Nuk ka më mitingje militantësh ku ka deklarata politikanësh për ideale e vizione. Por grupe të gatshme që janë më efikasë të mobilizojnë zgjedhës, e t’i çojnë ata për të votuar.

Madje edhe të merren me procese të komplikuara siç ishte vota me postë për diasporën, ku çdo person me të drejtë vote, duhet të regjistrohej, merrte fletët e votimit, t’i dërgonte në postë, të plotësuara në një zarf të posaçëm.

Proces, që siç e vumë re kryesisht për mazhorancën, u krye me asistencën e “zyrave elektorale” të ngitura në qendrat e mëdha urbane ku janë përqendruar emigrantët.

I gjithë ky proces nuk ka qenë spontan, pasi përndryshe do merrte kohë dhe energji të madhe, e heq kështu motivimin për të votuar me kaq ‘çarje dërrasash’. Ajo që ndodhi ka qenë një orgainizim perfekt i një makinerie elektorale që ka funksionuar si orë zvicerane. Po me cilat para?!/Pamfleti

vota e diasporës projekt pilot ndragheta

Lini një Përgjigje