Vlora është një nga qytetet më të prekura nga moti i keq që pushtoi dje vendin. Reshjet intensive të shiut bëri që uji të vërshonte në rrugë dhe banesa, ndërsa dëmet e shkaktuara duken katastrofike. Edhe pse fatmirësisht deri më tani nuk janë raportuar humbje në njerëz.
Ndërsa qytetarët e Vlorës vijojnë me thirrjet e tyre ndaj qeverisë dhe pushtetit për ndihmë, duket se këto thirrje po "bien në vesh të shurdhër". Deri më tani nga vetë kreu i qeverisë Edi Rama, nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me përmbytjet me dëme të mëdha në qytetin bregdetar.
Me një shikim të shpejtë vihet re se gjatë 24 orëve, në rrjetet sociale të kryeministrit, ka vetëm postime të kafshëve të egra, pamje nga "podcast"-i i tij dhe takimet e Partisë Socialiste.



Ndërkohë, që prej mëngjesi në rrjetet sociale dhe media janë publikuar vazhdimisht video të cilat nuk kanë nevojë për shumë koment, pasi duket qartë gjendja dhe situata kritike nga përmbytjet.
Ndërsa, Partia Demokratike e Vlorës ka reaguar pas përmbytjeve katastofike të qytetit bregdetar. Kreu i saj, Atird Hoxha tha se përmbytjet e fundit sollën pasoja të rënda për shumë familje dhe pronat e tyre.
Kjo situatë sipas tij vjen për shkak të keqmenaxhimit dhe papërgjegjshmërisë së një kryebashkiaku si Ermal Dredha.
Pavarësisht "punës" në terren, sipas kreut të PD Vlorë, përfundimisht kjo qeveri dhe ky model, kanë treguar se nuk kanë më turp e cipë dhe nuk duan të dinë më për qytetin e qytetarët.
Lidhur me përmbytjet në qytetin e Vlorës, PD kërkon nga organi procedures të nisë menjëherë hetimet dhe të nxjerrë para ligjit, përgjegjësit kryesor të kësaj situate.
"Përmbytjet e fundit që kanë goditur qytetin tonë kanë sjellë pasoja të rënda për shumë familje dhe pronat e tyre.
Fatkeqësisht, këto ngjarje të rënda dhe të përsëritura janë pasojë e mungesës së investimeve të qëndrueshme në infrastrukturën urbane dhe planifikimin afatgjatë nga ana e bashkisë dhe qeverisë së Rilindjes.
Qyteti nën ujë, është një tregues i qartë i papërgjegjshmërisë në menaxhimin e tij.
Përfundimisht, kjo qeveri, ky model nuk kanë më turp e cipë dhe nuk duan të dinë më për qytetin e qytetarët.
Mungesa e energjisë elektrike në të gjithë qytetin për orë të tëra ka përkeqësuar gjendjen në shumë zona për shkak të mosfunksionimit të sistemeve.
Drejtuesit e institucioneve duke filluar nga Kryetari i Bashkisë Vlorë Dredha i II në rehatinë e tyre e pritën të pushoi shiu dhe u jepnin urdhëra punonjësve që i lanë në mëshirë të fatit, pa mjete me rrogë qesharake, ndërkohë që rrogat e tyre i shtuan i bënë miliona.
Sot me siguri do ti shihni tek nxitojnë të hedhin foto me punonjës e makina, duke na treguar se po punojnë për rikthimin e normalitetit.
Një popull që paguan taksa për zyrtarët që e drejtojnë por që mbytet nga keqqeverisja për 30 minuta, është një popull i vjedhur në mënyrë kriminale dhe i përbuzur nga arroganca dhe cinizmi.
Vlora dhe vlonjatët nuk e meritojnë këtë.
Në këto kushte Partia Demokratike Dega Vlorë i bën thirrije Prokurorisë të nisi menjëherë hetimin për situatën e krijuar në qytetin tonë pasi është e qartë se nevoja për masa paraprake dhe efektive nuk është përmbushur, duke lënë qytetin të pambrojtur e në mëshirën e fatit", shkruan Atird Hoxha.
Lini një Përgjigje