TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Janar 2024, 18:40

Vjedhje karburanti, punësime fiktive dhe batërdi me tenderët, KLSH fundos Rexhë Byberin; shkelje masive në Bashkinë e Tropojës

Shkruar nga Pamfleti

Vjedhje karburanti, punësime fiktive dhe batërdi me tenderët,

KLSH ka zbuluar një numër të madh shkeljesh dhe abuzimesh në Bashkinë e Tropojës....

Bashkia e Tropojës duket se është kthyer në një institucion qokash për miqtë, njerëzit e partisë dhe të afërmit e kryetarit. Rexhë Byberi mori një tjetër mandat në krye të kësaj bashkie, por aty gëlojnë vjedhjet, abuzimet dhe shkeljet.

Kontrolli i Lartë i Shteti ka bërë një auditim në këtë bashki për zbatimin e buxhetit të vitit 2022 dhe janë gjetur një mori parregullsish. KLSH ka zbuluar se në bashki janë punësuar me kuç e me maç, ku disa marrin paga qyl.

Nga auditimi i shpenzimeve për pagat për vitin 2022, konstatohet se: Struktura dhe organet e bashkisë Tropojë dhe njësive të vartësisë, në disa raste paraqesin fyerje (gjithsej 361 punonjës) ne raport me kryerjen e detyrave sipas pozicioneve, referuar numrit real te banoreve te kësaj bashkie dhe mundësive financiare. Gjithashtu nuk justifikohet puna e kryer, me dokumente dhe programe pune. Kjo gjendje ka sjellë rritjen e vështirësive financiare, duke ndikuar në rritjen e borxhit të kësaj bashkie”, shprehet KLSH.

Po ashtu ka vjedhje të karburantit. Bashkia ka shpenzuar 140 milionë lekë të vjetra vetëm për furnizimin e makinave të saj.

Nga auditimi i zbatimi i buxhetit për vitin 2022, konstatohen shkelje dhe parregullsi nga Bashkia Tropojë, lidhur me shpenzimet e karburantit, ku konstatohet shpenzime në vlera të konsiderueshme prej 14,000,000 lekë, për 30 automjete te lehta dhe te renda (fadromë, makine vetëshkarkuese pastrimit, kamion etj), ku rreth 30 % e tyre janë të amortizuara, pasi janë mbi 30 vjeçare. Gjithashtu normat mujore të shpenzimit të karburantit rezultojnë te larta, për disa automjete, konkretisht: Kamion benz me targa AA 469 BB 33 litra/100, viti i prodhimit 1983, 2 Fadroma 31 dhe 32 litra/100 km, Boti i ujit 28 litra/100 km, për pastrim rruge, Makina mbeturinave 44 litra/100 km, Bore pastruesja 24 litra/100 km, Fugoni i Policisë 11 litra/100 km, Makina administratës (foristrada)16 litra/100 km”, thuhet në raport.

Por vjedhja nuk ndalet me kaq. KLSH ka zbuluar shumë shkelje me tenderët. KLSH ka zbuluar në 4 raste dhe konkretisht në procedurat e prokurimit për objektet “Blerje kamioni, Bashkia Tropojë”, “Rikualifikimi urban Lagja “Partizani”, Blloku 1&2, Qyteti Bajram Curri”, “Rikonstruksion i Shkollës “Oso Dauti”, Njësia Administrative Llugaj”, “Rikonstruksion Rruga Blini i Grisë-Lekurtaj”, zhvilluar në periudhën 2021 - 2022, se janë vendosur kritere të cilët nuk janë në përpjesëtim dhe të lidhura ngushtë me aftësinë zbatuese, natyrën dhe vlerën e kontratës, elementë të cilët kanë efekt në kufizimin e pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë.

Po ashtu, nga auditimi rezultoi se në 5 raste në procedurat e prokurimit publik janë kualifikuar dhe shpallur fitues operatorë ekonomikë, të cilët nuk plotësojë kriteret e vendosura në dokumentet e tenderit, në papajtueshmëri me legjislacionin e prokurimit publik

Nga auditimi i procedurave të prokurimit, lidhur me planifikimin e nevojave pasqyruar në regjistrin e planifikimit të prokurimeve, për periudhën nga data 01.01.2021 deri në datën 31.12.2022, në disa raste nga Autoriteti Kontraktor janë kryer procedura prokurimi duke copëzuar fondin dhe shmangur procedurat standarde të prokurimit, për shkak të ndryshimit artificial të kufirit monetar pa arsye objektive. “Mosaplikimi i rregullt i llojit të procedurës dhe devijimi nga aplikimi i LPP-së, ka ndikuar negativisht në mirëpërdorimin e fondeve publike dhe përbën një risk eventual për prokurimin e objektit me një vlerë më të lartë”, shprehet KLSH. /Pamfleti

Lini një Përgjigje