Kryeministri Edi Rama duket se i është bindur presidentit serb Aleksandër Vuçiç, për të shmangur komentet sa i takon situatës në veri të Kosovës.
Rama nisi dje një tur rajonal dhe atë e mbylli sot në Beograd. Rama zhvilloi një takim afro 1 orë me Aleksandër Vuçiç, ku në fokus ishin Procesi i Berlinit, por edhe Kosova. Por edhe pse Rama mori flamurtarin e paqes në rajon, kur erdhi puna te Kosova e zbuti ndjeshëm retorikën.
I pari ishte Vuçiç, i cili kërkoi nga gazetarët që të mos ta pyesnin për situatën në Veri. Po ashtu dhe Rama në nisje të konferencës tha se do ta shmangë këtë çështje për të shmangur tensionet. Skandali tjetër ishte se konferenca për shtyp nuk u transmetua LIVE në mediat shqiptare, por edhe as nga vetë Rama në Facebook. Ajo u dha pas gati 1orë e 30 minuta nga vetë Rama.
"Këtu, tani kemi fituar zakonin e shkëmbimit të drejtpërdrejtë të mendimeve. Ne nuk mund të biem dakord për gjithçka, por do të bëjmë çmos për të avancuar procesin e bashkëpunimit dhe paqes. Me tensionet në veri të Kosovës shmangim shprehjen publike të opinioneve për të mos përkeqësuar situatën. Ne u takuam në kuadër të një vizite në të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor që janë të lidhura dhe të lidhura me samitin që do të jetë pjesë e procesit të Berlinit dhe për të diskutuar tema me interes të përbashkët. Me tensionet që janë prezente në veri të Kosovës, ne shmangim shprehjen publike të opinioneve tona, që të mos përkeqësojmë situatën dhe ta kthejmë në drejtim të gabuar”, tha Rama.
Më tej ai foli në mënyrë të tërthortë. Duke kërkuar që të ketë dialog në Ballkan, pasi klima e tensioneve rrezikon gjithë rajonin. “Do ta përsëris atë që thashë, se e vetmja rrugë përpara nuk është rruga e rritjes së tensioneve, por mënyra e dialogut dhe e marrëveshjes, e cila konfirmohet në nivelin franko-gjerman. Nuk dua të përsëris këtu atë që thashë në Prishtinë, por askush nuk duhet të nënvlerësojë rrezikun kur gjendemi në një situatë që nuk duhet ta lejojmë të ndodhë, do ta bënte të pamundur kthimin e situatës në mënyrën e vjetër, edhe pse sot mund të kontrollohet. Duhet të ketë një këndvështrim të përbashkët”, tha Rama.
Edhe Vuçiç u mundua ta shmangte këtë gjë. Ishin gazetarët ata që insistuan, ndonëse edhe pyetjet ishin shumë të kufizuara dhe kjo u bë pikërisht që të shmangej sa më shumë vëmendja.
"Nuk kam problem të takohem me Albin Kurtin, unë kam folur me të gjithë që nga Thaçi dhe kam kërkuar që të gjej zgjidhje. Më pyesni se kur do të shoh Albin Kurtin por unë nuk e di as ata që janë më afër tij se kur do ta shohin.
Unë nuk jam aq optimist se sa Edi. Sepse ky di të flasë më mirë se unë me Brukselin. Mos na pyesni mua dhe Edin për Kosovën dhe Metohinë në sytë e njërit-tjetrit", tha Vuçiç.
Në fund ka pasur një përplasje mbi draftin e Asociacionit të propozuar nga Rama, duke bërë që Vuçiç të heqë kufjet dhe të largohet pa pritur mbarimin e fjalës nga Rama.
Edi Rama u shpreh se këtë draft për statusin e komunave me shumicë serbe ia kishte çuar “kumbarëve të marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës”, duke iu referuar Francës dhe Gjermanisë, gjë që solli dhe reagimin me tone të ashpra të liderit serb.
Vuçiç u shpreh se në Serbi njerëzit i zgjedhin vetë kumbarët e tyre, duke theksuar se sipas marrëveshjes së Brukselit është vetëm vendi i tij ai që mund të propozojë statutin e Asociacionit. Më pas u largua.
Lini një Përgjigje