TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Maj 2025, 10:43

Vitrina e shëmtuar socialiste me njerëzit e Ilir Metës

Shkruar nga Pamfleti

Vitrina e shëmtuar socialiste me njerëzit e Ilir Metës

Kalimi masiv i njerëzve të Partisë së Lirisë drejt PS-së dhe loja hipokrite e mazhorancës që po sfidon luajalitetin e elektoratit socialist...

Blendi Gonxhe, një nga emrat që Edi Rama duket se po e përgatit për të drejtuar Bashkinë e Tiranës, u shfaq së fundmi në Kombinat në krah të Esmeralda Demirajt, ish-kryetare e Gruas së Partisë së Lirisë, duke e quajtur atë një "mikeshë me energji pozitive". Nuk është i pari që kryen këtë veprim: shumë politikanë të PS-së po nxjerrin në vitrinë elektorale njerëz të cilët deri dje ishin pjesë e tentativës së Ilir Metës për të rithemeluar partinë e tij sovraniste pas dështimit të Monika Kryemadhit.

Në fakt, në zgjedhjet e vitit 2021, Monika Kryemadhi mori mbi 100 mijë vota—një rezultat aspak modest, edhe pse jo domosdoshmërisht falë aftësisë së saj politike apo lëvizjeve të Metës nga pozita e Presidentit. Problemi real ishte pikërisht Ilir Meta, i cili me sjelljet e tij kaotike dhe përpjekjet absurde për të depërtuar në elektoratin fanatik të PD-së, shkaktoi dëmin më të madh të mundshëm.

Arrestimi i tij e përshpejtoi arratisjen masive të njerëzve që deri dje ai mendonte se ishin luajalë. Ka teori se pas kësaj braktisjeje qëndron Monika dhe njerëz si Indrit Brahimllari, sot kandidat për deputet i PS-së. Nuk përjashtohet mundësia që Kryemadhi të ketë ruajtur një dozë hakmarrjeje ndaj ish-bashkëshortit, i cili e largoi atë në mënyrë spektakolare.

Por realiteti në terren tregon një histori tjetër. Faik Basha, një ndër figurat më aktive të Partisë së Lirisë në media dhe një kritik i ashpër i qeverisë Rama, sot është kthyer në një mbështetës të hapur të PS-së. Askush nuk mund t’ua mohojë të drejtën për të ndryshuar pozicion, por mënyra dhe shpejtësia e këtij kalimi nuk bën gjë tjetër veçse konfirmon thënien e vjetër: “Nuk bëhet stan me lepuj”.

Politikisht kjo ngre dy çështje të rëndësishme. E para lidhet me mazhorancën e Edi Ramës, e cila po përdor ish-kundërshtarë të egër politikë si një vitrinë elektorale. Kjo lëvizje taktike e Ramës është një fyerje arrogante dhe hipokrite ndaj socialistëve që i kanë qëndruar luajalë projektit politik të PS-së për dekada.

Në aspektin tjetër, ky zhvillim është një pasojë direkte e bumerangut politik të Ilir Metës, i cili vite më parë largoi me arrogancë figura të spikatura të majta si Pëllumb Xhufi, Sabit Brokaj e Fatos Klosi, për t'i zëvendësuar me njerëz që Dritëroi i madh do t'i quante "pehlivanë". Pikërisht këta "pehlivanë" janë ata që sot janë strehuar në prehrin e Edi Ramës, ku po paraqiten si "top modelë" politikë.

Në fund, viktimat më të mëdha të kësaj historie mbeten socialistët e thjeshtë, të cilët sot përballen me realitetin e hidhur se "lepujt" e Ilir Metës janë bërë tashmë "luanët" e Edi Ramës./Pamfleti

vitrina e shëmtuar socialiste njerëzit e ilir metës

Lini një Përgjigje