
Tension dhe përplasje të forta në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike, ku Ervin Salianji ka dalë hapur kundër liderit të opozitës Sali Berisha dhe Sekretarit të Përgjithshëm Flamur Noka.
Teksa mbledhja vijon, vijojnë të dalin detaje të forta. Sipas burimeve brenda mbledhjes, Salianji ka kërkuar llogari për pengesat ndaj aktivitetit të tij në bazë, duke sfiduar drejtëpërdrejt Berishën me pyetjen: “Cili nen i statutit ndalon anëtarët e kryesisë të takojnë demokratët?”. Ai ka akuzuar drejtimin aktual për sjellje përjashtuese dhe ka theksuar se “demokratët e neglizhuar duhen dëgjuar, jo përjashtuar si te PS; kush mendon ndryshe është vlerë dhe jo problem”.
Përplasja ka vazhduar edhe më ashpër, kur Salianji ka deklaruar se “sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrëzuar Ramën, e paskeni me mua”, duke akuzuar drejtuesit për zhvendosje të qëllimshme të vëmendjes nga pushteti. Në reagim, Flamur Noka i është kthyer me fjalët: “Me këtë që po bën, po u shërben atyre që ke përballë”.
Përgjigjja e Salianjit ka qenë akoma më e drejtpërdrejtë: “Jep dorëheqjen, Flamur, e ke shkatërruar partinë; gabimi me Avokatin e Popullit është përgjegjësi e jotja”.
Këto zhvillime reflektojnë përçarjen e thellë brenda PD-së dhe tensionet e pazgjidhura që po e mbajnë peng opozitën në një moment kur vendi përballet me kriza të shumta.
Lini një Përgjigje