Është zhvilluar me debate të forta mbledhja në Komisionin e Ekonomisë, ku kreu i grupit parlamentar të PL-së, Tedi Blushi, u përplas me deputetin socialist Erion Braçe për premtimin e parealizuar të uljes së TVSH-së për produktet bazë ushqimore.
Blushi kërkoi nga mazhoranca dhe deputetët e Partisë Socialiste që të kërkojnë ndjesë publike për qytetarët dhe pensionistët, duke e cilësuar premtimin e vitit 2013 si një mashtrim elektoral të pashlyeshëm. Ai nënvizoi se ulja e TVSH-së ishte një angazhim i drejtpërdrejtë i PS-së, i përsëritur edhe nga nënkryetari i komisionit, por që ende nuk është zbatuar pas 13 vitesh në pushtet.
Sipas Blushit, reduktimi i TVSH-së nga 20% në 5% për ushqimet bazë nuk është thjesht një masë ekonomike, por edhe një akt social dhe moral, i cili synon lehtësimin e shpenzimeve të jetesës për qytetarët, veçanërisht për pensionistët dhe familjet në nevojë.
“Për një pensionist apo një familje në vështirësi ekonomike, nuk ka asgjë më jetike sesa të blejë bukën, qumështin, vezët, miellin apo vajin më lirë, sidomos në një vit ku inflacioni pritet të rritet rreth 3%”, u shpreh ai.
Deputeti i PL, kritikoi qeverinë për politikën fiskale, duke theksuar se ulja e taksave ka përfituar vetëm oligarkët dhe bizneset e mëdha, si edhe resortet luksoze, përfshirë blerësit e jahteve, ndërkohë që qytetarët e thjeshtë vazhdojnë të paguajnë ushqimet bazë deri 50% më shtrenjtë krahasuar me vendet e Bashkimit Europian.
Ai akuzoi gjithashtu dhënien e tokave publike me çmime simbolike për ndërtimin e resorteve dhe kullave, duke theksuar se qytetarët më të varfër nuk kanë përfituar nga këto vendime.
Në përfundim, Blushi i bëri thirrje Kuvendit të miratojë projektligjin për uljen e TVSH-së për produktet bazë, duke e cilësuar këtë si një masë të drejtpërdrejtë në interes të qytetarëve dhe një hap për të garantuar jetesën me dinjitet.
Lini një Përgjigje