Kandidati i koalicionit, Bashke Fitojme në Himarë, Fredi Beleri është arrestuar mesnatën e djeshme në restorantin e tij.
Ai akuzohet për blerje votash.
Beleri ndodhej në brendësi të restorantit të tij në Himarë kur u shoqërua në polici.
Belerin e kanë shoqëruar efektivë të SPAK, në drejtim të komisariatit, më pas ai u transferua në Vlorë.
Bashkë me Fredi Belerin të shoqëruar në polici janë edhe avokati dhe një anëtar i shtabit elektoral.
Kandidati i Bashkë Fitojmë për Himarën, një prej personave të dyshuar pjesëmarrës në “Masakrën e Peshkëpisë”, në vitin 1994, ku u vranë dy ushtarakë shqiptarë, në një intervistë për gazetën greke Protothema bëri bujë duhet theksuar akoma më shumë tezën e Helenizimit.
“Është jetike për helenizmin e Himarës që t’i tejkalojë pengesat që e ndalojnë të ketë mundësi, punë të mira, të gëzojë pasurinë që na është mohuar prej 60 vitesh, për të pasur arsimim në gjuhën e nënës për të gjithë dhe për të shkëlqyer, sepse e meriton, në përparimin e procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. (në BE). Prandaj dhe zgjedhja ime do të lehtësojë rrugën e helenizimit me mbështetjen e të gjitha forcave politike të Greqisë, të cilat i falënderoj me gjithë zemër, do të ndihmojë në bashkëpunimin mes dy vendeve, një kusht i nevojshëm për përparimin tonë.”, tha Beleri për median greke.
Për këtë reagoi ashpër edhe kryeministri Edi Rama, teksa e quajti Belerin “maskara”.
"Është analfabet funksional dhe kërkon që të ndezë në Himarë një zjarr dhe këta ia japin pishtarin në dorë. Ai thotë më gjithë mbështetjen e partive politike në Greqi, do helenizojë Himarën. Kjo është e paimagjinueshme. Prandaj them unë që kjo është faqja e zezë e Shqipërisë. Jo sepse e them unë po sepse mbasi marrin një damkë që nuk shlyhet kurrë nga aleati më i madh i Shqipërisë. Të vetmen gjë që kanë në dorë është që të mos lejojnë që më firmën e tyre, mbështesin personin që ka qenë i dyshuar për vrasje të ushtarëve shqiptarë në Peshkëpi. Ka pasur edhe dënime. Këta e marrin dhe e mbështesin. Kjo tregon se çfarë faqezinjsh janë këta. Do vëjë në vend ai maskara padrejtësitë e 60 viteve. Ai është njeriu që kur unë kam bërë një punë të madhe për pronat e himariotëve, ky i thoshte që po e rregulloi Edi Rama këtë ne nuk kemi shans që ta marrim më Himarën. Nuk është çështje opinionesh në këtë rast është faqe e zezë e një vule në ballë.", tha në fjalën e tij kreu i qeverisë.
Ndërsa Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në lidhje me deklaratën e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për helenizimin e Himarës, mori në mbrojtje Belerin duke u shprehur se nuk është e vërtetë ajo çfarë publikuar në media dhe se një gjë e tillë është përgënjeshtruar nga vetë Beleri.
Lini një Përgjigje