Kryeministri Edi Rama i cili e sheh veten si një lider karizmatik dhe mjaft popullor në Europë e përtej Atlantikut, sot e ka justifikuar mungesën e ftesës në ceremoninë e inagurimit të presidentit amerikan Donald Trump me axhendën e Forumit të Davosit.
Në Davos, Rama do të jetë duke iu dhënë leksione udhëheqësve të tjerë të botës se si duhet zhvilluar ekonomia dhe si duhen adresuar sfidat globale.
Pikërisht sot kryeministri ka një seri takimesh dhe aktivitetesh në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror 2025, i cili zhvillohet në Davos – Klosters, në Zvicër.
Ndërkohë vetëm kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Christian Mickoski, ndodhet në SHBA nga liderët e Ballkanit, që është i ftuar të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri amerikan, Donald Trump, në Uashington.
Takimi i 55-të Vjetor i Forumit Ekonomik Botëror këtë vit mblidhet nën temën “Bashkëpunimi për Epokën Inteligjente”, me diskutime që fokusohen në pesë shtylla thelbësore, të ndërlidhura, me rëndësi të posaçme për një të ardhme të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të begatë.
Së bashku me liderë nga vende të tjera të botës, Edi Rama është pjesëmarrës në disa tryeza të rrumbullakëta, si dhe panelist në sesione të ndryshme që synojnë të nxisin një frymë bashkëpunimi dhe optimizmi konstruktiv me objektivin e formësimit të Epokës Inteligjente të ardhshme, në një mënyrë më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Kryeministri gjithashtu do të takohet përgjatë 3 ditëve të Forumit me homologë, liderë të biznesit, drejtues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe personalitete të tjera pjesëmarrëse në Forum.
Lini një Përgjigje