
Kreu i PD-së, Sali Berisha do të paraqitet ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së për aferën “Partizani”.
Partia Demokratike, në një mesazh shpërndarë strukturave të saj, ka thirrur sërish protestë para SPAK.
“Te dashur miq. Ditën e Hënë është data e radhës e përcaktuar për t’u paraqitur Kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha ne SKAP. Ndaj në ora 9:30 përsëri të gjithë në protestë përpara SKAP- it si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politik. Faleminderit”, thuhet në mesazhin e shpërndarë me strukturat e PD.
Kjo është hera e dytë që Berisha do paraqitet në SPAK, ndërsa për herë të parë në zbatim të masës së sigurisë shkoi në SPAK më 6 janar ku mblodhi vetëm një grusht militantësh. Berishës iu rikthye masa e detyrimit të paraqitjes më 3 janar 2025 nga gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi, pasi SPAK ankimoi lirimin e tij.
Berisha është marrë i pandehur për dosjen ‘Partizani’, për të cilën SPAK e akuzon se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i pandehur gjithashtu.
Të pandehur në aferën Partizani janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja orataku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Lini një Përgjigje