Pas përfundimit të proceduarave, Salianji do të dërgohet të vuajë dënimin në burgun e Fierit.
Deputeti Ervin Salianji rreth orës 17:25, ka dalë nga ambientet e selisë së Partisë Demokrati dhe është dorëzuar në polici. Ai mbajti një fjalim për mediat para selisë, ku deklaroi se nuk i trembej përballjes me këtë sistem dhe se lufta e tij do të vijojë nga burgu.
“Çdo përpjekje është për interesin publik. Këta nuk do ngopen me të keqen, ne nuk do ngopemi me të mirën. Unë jam shprehur se do të përballem ku do ta kërkojnë dhe do ta bëj betejën aty. Ne nuk jemi me të mirë se ata. Ne vendosim të sakrifikojmë lirinë për të vërtetën. Miqtë e protestë jashtë policisë janë të mirëpritur dhe i falenderoj. Falenderoj mediat për paqsyrimin e ngjarjes", tha Salianji.
Fillimisht është parë avokati i Salianjit, Ledio Braho i cili ka mbërritur në ambientet e Policisë së Tiranë dhe pak minuta më vonë është paraqitur edhe vetë deputeti i PD-së.
"Është një betejë që nuk përfundon. Nuk është një betejë e lehtë. Ne do t’i çmontojmë banditët dhe dita e qytetarëve dhe e demokratëve do të vijë", tha Salianji para se të dorëzohej në polici. Pas përfundimit të proceduarave, Salianji do të dërgohet të vuaj dënimin në burgun e Fierit.
Ndërkohë që paraditen e sotme u fol për disa skenarë të propozuar nga grupi Parlamentar i PD-së, të cilat përfshinin mos respektimin e urdhër-arrestit të lëshuar ndaj Salianjit.
Një ndër to ishte ngujim në selinë e PD-së dhe mbrojtja e tij më pas nga ana e deputetëve demokratë, të cilët nuk do të lejoni policinë që të ekzekutonte urdhër-arrestin! Ky propozim u hodh poshtë nga Salianji, i cili mësohet se nuk ka pranuar një ofertë të tillë, duke vendosur që të përballet me dënimin edhe pse e ka cilësuar atë të motivuar politikisht.
Ndërsa pas vendimit të Salianjit për t’u dorëzuar, PD-ja nisi mobilizimin dhe shpërndau një njoftim te demokratët, ku u kërkonte që të mblidheshin para Policisë së Tiranës në formë proteste, në mbështetje të deputetit demokrat. Thirrjes iu përgjigjën disa dhjetëra qytetarët dhe deputetë të opozitës të cilët u mblodhën në pritje të mbërritjes së Salianjit.
Kujtojmë se ditën e djeshme Gjykata e Apelit la në fuqi masën për arrest me 1 vit burg për kallzim të rremë nga Gjykata e Shkallës së Parë ndaj deputetit të PD-së, Ervin Salianji.
Tanimë, Salianjit i mbetet vetëm një rrugë, ta dërgojë çështjen në Gjykatën e Lartë me qëllim që të fitojë mundësin për të garuar në zgjedhjet parlamentare 2029. Kjo për shkak se ligji i Dekriminalizimit e ka përcaktuar qartë se ai nuk ka të drejtë të mbajë asnjë detyrë deri në vuajtjen e dënimit dhe të quhet i rehabilituar.
“Për personat e parashikuar nga shkronja “ç”, pika 1, e nenit 2, të këtij ligji, ndalimi zgjat nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, deri në momentin e rehabilitimit. Sipas nenit 69 të Kodit Penal ”, thuhet në ligjin e dekriminalizimit.
Por nëse shikojmë nenin 69 të Kodit Penal thotë: “ Të rehabilitohen ata që janë dënuar me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe që nuk kanë kryer vepër tjetër penale gjatë pesë viteve nga dita e duke vuajtur dënimin ”.
Pra Salianji pas vuajtjes së dënimit nuk mund të garojë edhe për 5 vite të tjera, çka do të thotë se nuk mund të garojë as në vitin 2029.
Por nëse Salianji ankohet në Gjykatën e Lartë dhe ajo e shpall të pafajshëm, dispozitat në Ligjin e Dekriminalizimit nuk kanë asnjë vlerë. Ndërkohë sa i takon mandatit aktual të Salianjit, ai pritet ti kalojë Andrea Manos, i cili figuron pas tij në listën e kandidatëve./Pamfleti
Lini një Përgjigje