TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Nëntor 2024, 19:41

Tym dhe flakë si një vit më parë? Kuvendi pritet të miratojë Buxhetin, PD proteston; a do të përsëritet skenari i 2023-shit!

Shkruar nga Pamfleti

Tym dhe flakë si një vit më parë? Kuvendi pritet të

Në buxhetin e vitit 2025 nuk parashikohet rritje pagash, gjithashtu nuk ka fond të paracaktuar për rritje pensionesh, pavarësisht protestave dhe kërkesave të pensionistëve.

Ditën e nesërme do të nisë seanca maratonë në Kuvendin e Shqipërisë, ku për 48 orët e ardhshme do të diskutohet dhe në fund do të miratohet buxheti për vitin 2025. Pas diskutimeve në Komisionet Parlamentare, buxheti i shtetit për vitit e ardhshëm do të debatohet dhe miratohet në Kuvend.

Ky buxhet i cili kap shifrën e rreth 8 miliardë eurove është më i madhi ndonjëherë dhe do të përdoret kryesisht për vijimin e reformave, dhe financimin e kantiereve të hapura aktualisht.

Në buxhetin e vitit 2025 nuk parashikohet rritje pagash, gjithashtu nuk ka fond të paracaktuar për rritje pensionesh, pavarësisht protestave dhe kërkesave të pensionistëve.

Në tërësi, ky buxhet nuk karakterizohet nga shtimi i financimit për mbrojtjen sociale apo ndihmesën e shtresave në nevojë. Por paketa garanton vijimin e përfitimeve të deritanishme për kategoritë më të varfër.

Ndërkohë sa i takon investimeve, buxheti 2025-ës iu dedikohet më shumë projekteve që janë në ndërtim e sipër, si Rruga Tiranë-Durrës, Elbasan-Qafë Thanë, etj. Gjithashtu do të financohen koncesionet që janë aktive dhe do të përballohet borxhi publik.

Por ajo që mbetet për t’u parë është nëse kësaj radhe opozita do të marrë pjesë në debatin për buxhetin, apo do t’i bëjë sërish një favor qeverisë për ta kaluar atë njëlloj si vitin e shkuar mes dhunës dhe kaosit. Opozita nuk i ka bojkotuar debatet në Komisione për Buxhetin, ndryshe nga viti kaluar.

Vlen të theksohet se vitin e kaluar vetëm 5 minuta zgjati seanca për Buxhetin e vitit 2024, pasi deputetët e opozitës vijuan mosbindjen civile duke hedhur tymuese, flakadanë e kapsolla.

Këtë vit, Kuvendi pritet ta votojë buxhetin në parim në fund të ditës së martë, fashë në të cilën, opozita ka thirrur një protestë përpara Parlamentit. Kjo pas kërkesës së Sali Berishës për penguar miratimin e atij që ai e quan buxheti i vjedhjeve.

Mbetet për t’u parë nëse thirrja e Berishës për protestë në orarin kur miratohet buxheti do të përfshijë edhe sallën e Kuvendit. Nëse një gjë e tillë ndodh, të dëmtuar dalin qytetarët të cilët për të dytin vit radhazi nuk do të kuptojnë se ku përfundojnë parat e tyre./Pamfleti 

Lini një Përgjigje