
Kreu demokrat Sali Berisha mbajti një qëndrim kundër organizimit të protestave, si ajo që do të mbahet në Tiranë, pasditen e së premtes, në mbështetje të liderëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Berisha tha se protesta nuk është rruga për t’iu kundërvënë gjykatës. Ai u shpreh se ka qenë gjithmonë kundër protestave të tilla, duke theksuar se as mbështetësit e opozitës nuk kanë marrë pjesë në të tilla organizime.
“Ka pasur njoftime për protesta, por unë nuk i kam lejuar. Gjykatat kanë absurditetet e tyre, por ato kanë një pavarësi, e cila nuk është meritë e pushteteve të tjera që t’i sulmojë.
Përndryshe nuk do ketë gjykata. Unë jam që të respektohen, pavarësisht se çfarë bëjnë.
Edi Rama i dëmton shumë ata se është një personalitet i damkosur tanimë. E keni marrë vesh, i damkosur kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. Dhe ta shohin atë gjykatësit se ky po u del zot, absolutisht i rëndon.
Të dalë Taulant Balla, i cili i ka rekordet e zeza në të gjitha kancelaritë, dhe të flasë për luftëtarët e lirisë, i dëmton. Po, normale, luftëtarët e UÇK dhe qyetarët e tjerë janë të lirë të organizojnë çfarë të mendojnë.
Por Edi Rama ka faktuar se është një armik i egër i Kosovës.
Ju kujtohet ju projekti për ndarjen e kufijve? Ky ka qenë promotor kryesor.
Ju kujtohet ju Ballkani i Hapur kur Kosovën e futën në hartën e Serbisë? Ky ka qenë autori kryesor.
Ju kujtohen sanksionet që i vu Albin Kurtit? Ky ka qenë.
Ju kujtohet fluturimi i tij, mblodhi Batonët e Kosovës për të rrëzuar qeverinë? Ky ka qenë.
Ju kujtohen fjalimet e tij kundër kryeministrit të Kosovës? Ky është.
Edhe këtë e ka kundër tij.
Ne nuk jemi që të ndërhyjmë në punët e brendshme të Kosovës. E thashë edhe në parlament, preferenca ime është LDK ta zëmë, por unë nuk ndërhyj kurrë as në fushatë, as në ato.
Kjo është normale, është një vend tjetër ai”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje