Kryeministri Edi Rama ka urar Presidentin e Kosovës, Vjosa Osmani për ftesën e marrë nga Donald Trump, për të qenë pjesë e Bordit të Paqes.
Shefi i qeverisë kreu i qeverisë thotë se ky është një gjest domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon marrëdhënien e Amerikës me popullin shqiptar.
“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë.
Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi të martën se duhet lënë OKB-ja të vazhdojë punën e saj, kur u pyet për planet e tij lidhur me të ashtuquajturin Bord i Paqes për Rripin e Gazës.
Qeveritë në mbarë botën kanë reaguar me kujdes ndaj ftesës së Trumpit për t’u bashkuar në këtë nismë, e cila sipas presidentit amerikan synon zgjidhjen e konflikteve në nivel global. Diplomatë kanë paralajmëruar se plani mund të dëmtojë punën e Kombeve të Bashkuara.
I pyetur nëse dëshironte që Bordi i Paqes të zëvendësonte OKB-në, Trump u përgjigj: Mundet. Ai shtoi se OKB-ja nuk ka qenë shumë e dobishme, por theksoi se mbetet një mbështetës i potencialit të saj.
“Jam një adhurues i madh i potencialit të OKB-së, por ajo nuk ka arritur kurrë të përmbushë potencialin e vet. Besoj se duhet lënë OKB-ja të vazhdojë, sepse potenciali është kaq i madh”, tha Trump gjatë një deklarimi për mediat.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se kishte parandaluar ekzekutime masive në Iran, duke paralajmëruar regjimin islamik se do të ishte “një ditë shumë e keqe” nëse do të “varnin 837 persona”.
“Ua bëmë të ditur se, nëse kjo ndodh, do të ishte një ditë shumë e keqe për ta. Ata vendosën të mos e bënin. Nuk mund t’ju them çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por thuhet se e hoqën nga tryeza”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje