Deputeti i PD, Tritan Shehu është përplasur në seancën e sotme me kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla lidhur me përjashtimin e Sali Berishës nga grupi i PD.
Shehu tha se po goditet parlamentarizmi.
“Në kushtetutë dhe në rregullore nuk ekziston fjala parti. Nuk jemi në kohën e partisë së punës. Më lini që të flas, ju lutem. Që nga 10 shtatori keni bërë një komplot kundër demokracisë dhe kundër parlamentarizmit. Ajo që po bëhet është goditje e rëndë kundër parlamentarizmit. Nuk mund të pranohet kjo gjë”, tha ai.
Ndërkohë Nikolla ka përjashtuar nga seanca deputetin e PD, Flamur Noka pas përplasjes së krijuar nga ky i fundit në foltoren e Kuvendit.
Nikolla tha se Noka ka përdorur gjuhë të pahijshme në Kuvend, ndërsa i kërkoi atij që të largohet nga salla e Kuvendit.
Deputeti demokrat nuk ka pranuar në largohet nga salla duke vijuar replikat në distancë me kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla të cilën e ka quajtur përfaqësuese të narkoshtetit.
“Ti mua nuk më kërcënon dot, as më intimidon dot mua, sidomos ti Flamur Noka, je i përjashtuar nga seanca, largohu nga salla”, tha Nikolla.
Në kushtet kur deputetë e opozitës ishin të gjithë të pozicionuar pranë foltores, kryetarja Nikolla ka ndërprerë për 5 minuta seancën.
Lini një Përgjigje