Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Kosovës, ka sulmuar në mënyrë indirekte kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për ecurinë e Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Teksa nuk përmendi asnjë arritje të qeverisë Kurti, Rama foli rreth 1 orë vetëm për nisma që duhet të ndërmerren nga Kuvendi për lirimin e Hashim Thaçit, teksa e thumboi edhe me fjalët e Ibrahim Rugovës.
Rama me tone intimiduese kërkoi nga Prishtina miratimin e një rezolute drejtuar vendeve financuese të Gjykatës Speciale që po gjykon ish-krerët e UÇK-së.
“Sot kur ne jemi të gjithë këtu në Kuvendin ku u shpall Pavarësia e Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi vazhdon mbahet peng prej gati pesë vitesh në qelitë e një drejtësie ndërkombëtare që në cdo hap ka zhgënjyer këdo.
Nuk mund ta gëlltis dot se nyja e mbledhur në fyt nga një dyshim i madh që ai është një proces i parregullt ligjor. Unë nuk rri dot pa u thënë çudinë time për faktin se në këtë sallë nuk është ndërmarrë asnjëherë një nismë për t’ju kërkuar, përmes një rezolute të mbështetur nga të gjitha forcat politike, të gjitha vendeve financuese të asaj gjykate shqetësimin e madhe mbi standardet e atij procesi dhe për të kërkuar ngritjen e një misioni verifikimi mbi atë proces.
Ndoshta shqetësimi mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron kjo është një gjëmë e madhe, jo për ata katër njerëz të thjeshtë por edhe për vetë integritetin e drejtësisë ndërkombëtare. Nëse Kuvendi i Kosovës do ta ndërmerrte nismën për t’ju drejtuar të gjitha vendeve dhe nëse do të na kërkohej që një nismë e tillë ti bashkohet edhe kuvendi i Shqipërisë, PS do të angazhohej që të njëjtën rezolutë të votuar nga Kuvendi i Kosovës ta depozitonte edhe në Kuvendin e Shqipërisë” tha ai.
Sipas kryeministrit shqiptar, Kosova duhet të shfrytëzojë mundësitë për anëtarësim si “trimi i mirë me shokë shumë”.
Rama theksoi se Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën në rrugën e saj europiane, por mundësitë e Tiranës zyrtare nuk krahasohen me ato të miqve dhe aleatëve strategjikë. Këtu citoi edhe një mesazh të Bill Clinton.
“Duam ta ndihmojmë Kosovën në rrugëtimin europian, por mundësitë tona as që mund të krahasohen me mundësitë e miqve dhe aleatëve tanë strategjikë dhe pezmatimi i tyre me Kosovën na pengon të bëjmë sa do donim e sa do mundnim në këtë kohë kur të gjitha yjet janë kthyer në favor të shqiptarëve për tu bashkuar përmes dy shteteve tona me Europën. Më ndjeni ta përsëris porosinë e mikut më të madh të Kosovës që i është ngritur për së gjalli një monument, Bill Clinton më kërkoi t’ju them të gjithë miqve në Kosovë se koha nuk e sjell shansin historik përgjithmonë por e sjell që të mos e humbasim dhe ta kthejmë në një arritje historike sa kohë e kemi atë në dorë”, tha Rama.
Po ashtu, kryeministri shqiptar tha se barra e fajit në sytë e Evropës duhet të tregohet qartë se duhet t’i bjerë vetëm Serbisë, por kurrsesi, as edhe një gram, t’i bjerë Kosovës./ Pamfleti
Lini një Përgjigje