TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Dhjetor 2023, 10:00

Tre herë shtyrje vendimi, a do të arrestohet sot Sali Berisha?

Shkruar nga Pamfleti
Tre herë shtyrje vendimi, a do të arrestohet sot Sali Berisha?
Sali Berisha

Ditën e sotme në orën 12:00, Gjykata e Posaçme pritet të shpallë vendimin për kërkesën e SPAK për dërgimin në "arrest në shtëpi" apo jo të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Pas tre seancave të shtyra, edhe sot nuk dihet nëse GJKKO do të shpallë sot vendimin përfundimtar.

Vonesa e avokatëve të Berishës për të depozituar në gjykatë një kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, duket se do ta vërë sërish në pikëpyetje mundësinë e gjykatës për të shpallur vendimin.

Ndonëse seanca e së enjtes, e treta në radhë, u shty për t'i dhënë kohë avokatëve për të depozituar kërkesën, ajo nuk mbërriti në gjykatë deri në orën 16:00 të së premtes.

"Ju bëjmë me dije se deri në orën 16.00, në sekretarinë e gjykatës nuk është paraqitur kërkesë me shkrim e avokateve të shtetasit Sali Berisha për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka", njoftoi zyrtarisht Gjykata e Posaçme.

Kërkesa ende e padepozituar e avokatëve u artikulua fillimisht në seancën e së enjtes, ku ata pretenduan njëanshmëri nga gjyqtarja Gjoka.

Gjatë dy ditëve të fundit avokatët i kërkuan gjykatës procesverbalet audio të seancave, vendimet e ndërmjetme të gjyqtares Gjoka, por edhe vendimin e gjyqtares Rudina Palloi, që refuzoi një kërkesë të mëhershme për përjashtimin e Gjokës. Të gjitha këto, me pretendimin se do të mbështesnin kërkimin e tyre të ri.

Në këtë gjykim SPAK i kërkon gjykatës së Posaçme të caktojë mazën e sigurisë "arrest në shtëpi" ndaj ish-km Sali Berisha, mbikëqyrjen policore gjatë kësaj mase dhe pengimin e komunikimit të tij me persona të tjerë, përveç bashkëjetuesve të tij.

Dje në konferencën e përjavshme për mediat, Sali Berisha është shprehur se nuk ka asnjë lloj përshtypjeje se çfarë vendimi do të marrë gjykata për të.Ai thekson se nuk ka ndërhyrë në asnjë proces gjyqësor, por ka kërkuar vetëm të mbrojë Kushtetutën.

'Unë nuk kam asnjë lloj impresioni se çfarë vendimi merret nesër apo pasnesër. Beteja ime është pa kthim. Kjo është ajo që unë kam deklaruar dhe ajo betejë do të vazhdojë gjer në triumfin e plotë, rikthimin e pluralizmit politik në vendin tim”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri Berisha akuzohet si i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Nën hetim për këtë dosje është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie arrest shtëpie.

sali berisha spak arrestim

Lini një Përgjigje